BallinaDiasporaPËRKUSHTIMI I POPULLIT TONË PËR LIRI DHE MËVETËSI

PËRKUSHTIMI I POPULLIT TONË PËR LIRI DHE MËVETËSI

-

Nga Arsim Mulliqaj

Milano, 17 shtator 2026 – Me dëshmi të shumta historike dëshmohet se populli ynë nuk ka reshtur kurrë së kërkuari, mbrojturi dhe ëndërruari lirinë dhe mëvetësinë. Kjo është një rrugë e gjatë, e shtruar me sakrifica, qëndresë dhe flijime të brezave të tërë.

E kaluara nuk mund të ndryshohet. Ajo është e shkruar në historinë tonë dhe e vulosur me flijimin e më të dashurve tanë, të cilët dhanë jetën në mbrojtje të familjes, të atdheut dhe të farës sonë të lashtë. Kujtimi për ta nuk duhet të mbetet vetëm pjesë e së kaluarës, por të shërbejë si përgjegjësi për të tashmen dhe orientim për të ardhmen.

Detyra jonë e shenjtë është të zhvillojmë demokracinë dhe të mbështesim të drejtat e popullit tonë, në mënyrë që çdo njeri të mund të jetojë mirë, i lirë dhe me dinjitet. Për këtë arsye, është me rëndësi që të shfrytëzohen të gjitha mundësitë që ofron demokracia dhe institucionet demokratike.

Shtetet e zhvilluara janë shembulli më i mirë se si funksionon një shoqëri ku përgjegjësia institucionale, sundimi i ligjit dhe llogaridhënia ndaj qytetarëve janë pjesë e pandashme e jetës publike. Është koha që edhe në trevat shqiptare të ndërtohet dhe të konsolidohet një rend i ri i përgjegjësisë para popullit, ku politika dhe institucionet të jenë në shërbim të qytetarit dhe jo e kundërta.

Kjo është e mundur.

Kërkohet përkushtim, vullnet politik, përgjegjësi dhe guxim për të sjellë ndryshime në mënyrën e të bërit politikë. Kërkohet një qasje e re, e cila do ta vendosë interesin e qytetarit dhe të shoqërisë mbi interesat e ngushta politike e personale.

Për shumë e shumë arsye, ndryshimet janë të domosdoshme. I meritojmë ato, sepse pas nesh qëndron një histori e gjatë vuajtjesh dhe sakrificash për liri e mëvetësi.

Prandaj, kujtimi i atyre që u flijuan nuk duhet të jetë vetëm një përkujtim ceremonial. Ai duhet të jetë përgjegjësi e përditshme për mënyrën se si e ndërtojmë shoqërinë, si i drejtojmë institucionet dhe çfarë të ardhmeje ua lëmë brezave që vijnë.

Liria e fituar me sakrificë kërkon përgjegjësi për t’u ruajtur, ndërsa demokracia kërkon qytetarë dhe institucione që dinë ta mbrojnë atë.

Populli ynë ka dëshmuar se di të luftojë për liri. Tani koha kërkon të dëshmojmë se dimë edhe ta ndërtojmë, ta forcojmë dhe ta mbrojmë demokracinë me përgjegjësi, unitet dhe dinjitet.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

TANI DUHEN SHTETET, JO STATUSET

0
Nga Prof.dr. Pal NIKOLLI Pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, një gjë duhet thënë pa ekuivok: Kosova dhe Shqipëria duhet ta...