
Nga Dashnim HEBIBI
Një dritare mediale për mërgatën shqiptare – me profesionistë, me përgjegjësi dhe në shërbim të lexuesit
Ne besojmë se fjala e lirë ka vlerë vetëm atëherë kur thuhet me përgjegjësi, profesionalizëm dhe në shërbim të komunitetit. Prandaj, ftojmë afaristët, njerëzit shpirtbardhë, intelektualët dhe të gjithë ata që e duan fjalën e lirë dhe besojnë në fuqinë e medias, të bëhen pjesë e rrugëtimit tonë. Ne nuk vrapojmë pas fitimit dhe nuk shkruajmë për të mbushur kontot tona. Shkruajmë për të përmbushur nevojat mediale të mërgatës shqiptare, për të pasqyruar jetën, punën, sukseset, sfidat dhe kontributin e saj. Do të jemi pranë shkollës plotësuese shqipe “Naim Frashëri”, pranë shoqatave tona, pranë institucioneve dhe organizimeve shqiptare, por edhe pranë çdo të riu që arrin sukses dhe me punën e tij dëshmon se shqiptarët në mërgatë kanë çfarë t’i ofrojnë shoqërisë.
Në vëmendjen tonë do të jenë edhe gjeneratat e vjetra, njerëzit që ndër vite kanë punuar, sakrifikuar dhe ruajtur gjuhën, kulturën e identitetin. Ata ishin dhe vazhdojnë të jenë ndër ambasadorët më të mirë të kombit tonë. Ne nuk kemi shkruar dhe nuk do të shkruajmë se “filani ka pasuri”, se dikush ka një titull, pozitë apo se dikush dëshiron të jetë në qendër të vëmendjes. Ne do të shkruajmë atë që i duhet lexuesit, atë që ka vlerë publike dhe atë që meriton të dëgjohet.
Kjo dritare mediale do të vazhdojë të jetë një zë i fuqishëm i mërgatës shqiptare, ashtu siç ka qenë deri më tani. Pas saj qëndrojnë profesionistë me përvojë të gjatë në gazetari, media dhe komunikim publik, me një biografi të ndërtuar ndër vite.
Këtu nuk ka vend për shkarravitës. Ka vend për profesionistë.
Kemi bashkëpunuar dhe do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me media zvicerane, me mediat shqiptare nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, Mali i Zi dhe nga të gjitha trevat shqiptare. Sepse mërgata jonë nuk është vetëm një numër. Është një histori suksesi, një realitet shoqëror dhe një urë e fuqishme mes vendlindjes dhe vendeve ku jetojmë.
Prandaj, u bëjmë thirrje afaristëve dhe njerëzve shpirtbardhë: nëse e doni fjalën e lirë, nëse besoni te gazetaria profesionale dhe nëse dëshironi që zëri i mërgatës të dëgjohet më fuqishëm, ejani dhe participoni në këtë rrugëtim.
Ne nuk premtojmë lajme për njerëzit që paguajnë.
Premtojmë gazetari që i shërben njerëzve.
Sepse media nuk duhet të jetë pasqyrë e pasurisë së individëve, por pasqyrë e jetës së komunitetit.
Dhe këtë mision do ta vazhdojmë me të njëjtin parim: profesionalizëm, përgjegjësi dhe fjalë të lirë.










