Kandidati për guvernator të New York-ut vë në pah kontributin e shqiptarëve në shoqërinë amerikane, duke u zotuar për mbështetje ndaj familjeve, sigurisë, punësimit dhe arsimit.
Bruce Blakeman, kandidat për guvernator të shtetit të New York-ut dhe figurë politike e afërt me presidentin amerikan Donald Trump, ka vlerësuar kontributin e komunitetit shqiptaro-amerikan, duke theksuar rëndësinë e tij në jetën ekonomike dhe shoqërore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në deklaratën e tij, Blakeman u shpreh se ka shumë miq shqiptarë dhe e cilësoi komunitetin shqiptaro-amerikan si punëtor, të përkushtuar ndaj familjes dhe të orientuar drejt një të ardhmeje më të mirë për brezat e rinj.

“Kam shumë miq shqiptaro-amerikanë. Janë njerëz punëtorë, që duan një jetë më të mirë, vende të mira pune, taksa më të ulëta, më shumë siguri dhe arsim më të mirë për fëmijët e tyre”, u shpreh ai. Kandidati për guvernator vlerësoi gjithashtu kontributin e shqiptarëve në fusha të ndryshme të shoqërisë amerikane, përfshirë shkencën, arsimin, teknologjinë dhe drejtësinë. Sipas tij, përkushtimi ndaj punës dhe familjes përbën një nga tiparet dalluese të këtij komuniteti. Blakeman theksoi se, nëse zgjidhet guvernator, synon të jetë një përfaqësues që i kushton rëndësi mirëqenies së familjeve shqiptaro-amerikane dhe perspektivës së fëmijëve të tyre.
“Do t’i mbështes shqiptaro-amerikanët, sepse punojnë shumë çdo ditë për një jetë më të mirë për familjet e tyre. Shqiptarët janë njerëz familjarë, kujdesen për fëmijët dhe nipërit e mbesat. Ata do të kenë një guvernator që kujdeset për fëmijët e tyre”, deklaroi ai.
Qëndrimi për emigracionin
Duke folur për politikat e emigracionit, Blakeman u shpreh se mbështet largimin nga Shtetet e Bashkuara të emigrantëve me të dhëna kriminale. Megjithatë, ai bëri dallimin mes personave të përfshirë në veprimtari kriminale dhe emigrantëve që ndodhen në vend pa dokumentacion të rregullt, por që nuk kanë kryer krime. Sipas deklaratës së tij, këta të fundit duhet të kenë mundësi për të jetuar dhe punuar në SHBA.
“Jam shumë i vendosur për largimin e emigrantëve me të dhëna kriminale, por emigrantëve pa dokumentacion të rregullt që nuk janë të përfshirë në krime duhet t’u jepet një mundësi për të jetuar dhe punuar në Shtetet e Bashkuara”, u shpreh Blakeman.
Komuniteti shqiptar, një pjesë e rëndësishme e jetës amerikane
Deklaratat e kandidatit për guvernator vënë në pah rolin e komunitetit shqiptaro-amerikan, i cili ndër vite ka kontribuar në fusha të shumta të jetës publike, ekonomike, profesionale dhe kulturore në Shtetet e Bashkuara. Shqiptarët në New York dhe në shtetet e tjera amerikane kanë ndërtuar jetën e tyre përmes punës, sipërmarrjes dhe përkushtimit ndaj familjes, duke ruajtur njëkohësisht gjuhën, traditat dhe lidhjet me vendlindjen.
Vlerësimet e Blakemanit përbëjnë një mesazh politik drejtuar një komuniteti që kërkon siguri, mundësi ekonomike, arsim cilësor dhe përfaqësim të denjë në institucionet amerikane. Megjithatë, përtej deklaratave dhe zotimeve gjatë fushatës, mbështetja politike do të vlerësohet edhe nga politikat konkrete që do të ndërmerren për familjet, bizneset dhe të ardhmen e komunitetit shqiptaro-amerikan. Për shqiptarët e Amerikës, rëndësi të veçantë ka që vlerësimi i kontributit të tyre të shoqërohet me angazhim të vazhdueshëm për mundësi të barabarta, siguri dhe mirëqenie për të gjitha familjet. Komuniteti shqiptaro-amerikan vazhdon të dëshmojë se është pjesë aktive e shoqërisë amerikane, duke kontribuar në zhvillimin e vendit dhe duke ruajtur me krenari identitetin e tij kombëtar, transmeton Bweb.










