Patriotët nga Shqipëria dhe Kosova Pjetër Marku, Aleksandër Ndoja dhe Shejh Kujtim Popaj vizituan Federatën Vatra në Bronx. Ata u pritën nga arkëtari i Vatrës z.Ilir Cubi dhe drejtori i marketingut dhe eventeve z.Nazim Salihu. Në qendër të bisedës ishte kontributi i Vatrës për çështjen kombëtare dhe komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pjetër Marku është piktor, i diplomuar në Akademinë e Arteve, në degën e Pikturës. Me një veprimtari të gjerë artistike, ai ka realizuar 29 ekspozita personale në Shqipërinë natyrale, në disa vende të Evropës dhe në Vatikan, si dhe ka marrë pjesë në 51 ekspozita kolektive kombëtare e ndërkombëtare, me një krijimtari që përfshin rreth 2000 piktura. Në vitin 2013, themeloi Akademinë e Artit, Shkencës dhe Letrave “Mirdita”, institucion që, nën drejtimin e tij, ka zhvilluar një veprimtari të gjerë kulturore, artistike dhe shkencore brenda dhe jashtë vendit, duke promovuar vlerat kombëtare dhe personalitetet e shquara shqiptare. Aleksandër Ndoja është gazetar dhe opinionist me një përvojë 25-vjeçare në mediat qendrore të Tiranës. Është themelues dhe administrator i portalit Pirusti News.

Prej 13 vitesh është kryeredaktor i revistës kulturore “Mirdita”. Deri më sot, revista ka publikuar 52 numra, me mijëra ekzemplarë të shpërndarë në mbarë hapësirën kombëtare shqiptare, në vende të ndryshme të Europës dhe, prej dy vitesh, edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Aleksandër Ndoja është bashkëdrejtues i Akademisë së Artit, Shkencës dhe Letrave “Mirdita”, ku angazhohet në veprimtari kulturore, letrare e shkencore, në promovimin e vlerave kombëtare dhe në mbështetjen e krijuesve e personaliteteve që kontribuojnë në ruajtjen dhe përcjelljen e identitetit shqiptar ndër breza.
Shejh Kujtim Popajn është udhëheqës shpirtëror sufi, i cili përmes mesazheve të tij promovon paqen, drejtësinë, dashurinë dhe bashkimin e njerëzimit. Në cilësinë e Presidentit Diplomatik të Ambasadës së Paqes në Kosovë (APUP), ai përcjell mesazhin e respektit, tolerancës dhe harmonisë ndërmjet popujve dhe feve. /GDielli










