Cyrih, 05 shtator, 2026 – Në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih siç njofton helveticALforum.ch u mbajt mbrëmë promovimi i librit “Psikologji Klinike – Shkenca dhe Raste Praktike në Trajtimin e Çrregullimeve Mendore”, të autores Shqipe Vitija. Aktiviteti u organizua nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Cyrih, në bashkëpunim me Lidhjen e Mjekëve Shqiptarë në Zvicër (LMShZ) dhe Alba Health, duke mbledhur së bashku profesionistë të shëndetësisë, psikologjisë, arsimit, si dhe përfaqësues e pjesëtarë të mërgatës shqiptare në Zvicër.
Në fjalën e tij, Vigan Berisha, shef i misionit të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih, theksoi rëndësinë e krijimit të hapësirave të tilla për shkëmbim profesional, si dhe për prezantimin dhe promovimin e punimeve shkencore e akademike të autorëve shqiptarë. Berisha vlerësoi se aktivitete të tilla kontribuojnë në forcimin e lidhjeve profesionale dhe akademike brenda komunitetit shqiptar në Zvicër, duke krijuar ura bashkëpunimi ndërmjet profesionistëve të fushave të ndryshme. Të pranishmëve iu drejtuan edhe Gazmend Haliti, kryetar i Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër, dhe Ekrem Hasani, kryetar i Alba Health, të cilët vlerësuan rëndësinë e botimeve profesionale dhe të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe komunitetit shqiptar në Zvicër. Një prezantim të veçantë mbi librin mbajti Prof. Bardhyl Musai, profesor universitar, ekspert i arsimit dhe njëkohësisht botues i veprës. Ai u ndal te përmbajtja e librit, procesi i botimit dhe rëndësia e tij në aspektin akademik e profesional.
Autorja Shqipe Vitija prezantoi para të pranishmëve përmbajtjen e veprës, procesin e hartimit dhe qëllimin e botimit. Ajo vuri në pah rëndësinë e pasurimit të literaturës profesionale në gjuhën shqipe, veçanërisht në fushën e psikologjisë klinike, si dhe nevojën për një ndërlidhje sa më të drejtpërdrejtë ndërmjet njohurive akademike dhe praktikës profesionale. Libri trajton çështje të rëndësishme nga fusha e psikologjisë klinike dhe përfshin raste praktike që synojnë të ndihmojnë në kuptimin dhe trajtimin e çrregullimeve mendore. Përmes ndërthurjes së bazës shkencore me përvojën praktike, vepra synon të shërbejë si literaturë me vlerë për profesionistët, studentët dhe të gjithë ata që kanë interesim për këtë fushë. Aktiviteti u përmbyll me një diskutim dhe bashkëbisedim me të pranishmit, ku u shkëmbyen njohuri, përvoja dhe këndvështrime profesionale rreth temave të trajtuara në libër.

Promovimi në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Cyrih u vlerësua si një mundësi e rëndësishme për të sjellë në vëmendje punën e profesionistëve shqiptarë dhe për të nxitur më tej bashkëpunimin akademik, shkencor e profesional brenda komunitetit shqiptar në Zvicër, transmeton Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Cyrih, përcjell helveticALforum.ch.










