BallinaDiasporaKosova prezanton potencialin e inovacionit në Bruksel

Kosova prezanton potencialin e inovacionit në Bruksel

-

Kusari-Lila: BE-ja dhe Ballkani Perëndimor pajtohen për forcimin e bashkëpunimit në kërkimin shkencor dhe inovacion. Kosova prezanton mbështetjen financiare për bizneset, start-up-et dhe gratë ndërmarrëse.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka marrë pjesë në Takimin Ministror të Platformës Drejtuese të Ballkanit Perëndimor për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin, të mbajtur në Bruksel me organizimin e Komisioneres Evropiane për Start-up-et, Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin, Ekaterina Zaharieva. Në këtë takim, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit në fushën e kërkimit shkencor, inovacionit dhe zhvillimit ekonomik, me synimin e avancimit të rajonit dhe forcimit të lidhjeve me BE-në. Një nga rezultatet kryesore të takimit ishte miratimi i një deklarate të përbashkët nga Bashkimi Evropian dhe partnerët e Ballkanit Perëndimor, përmes së cilës synohet forcimi i bashkëpunimit në kërkimin shkencor dhe inovacion, si dhe hartimi i një Plani të Përbashkët të Veprimit. Sipas Kusari-Lilës, Komisionerja Evropiane Ekaterina Zaharieva e ka cilësuar këtë deklaratë si një kapitull të ri në bashkëpunimin ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, duke theksuar rëndësinë e kërkimit shkencor dhe inovacionit në procesin e integrimit evropian.

Kosova prezanton potencialin e saj në inovacion

Gjatë takimit, ministrja Kusari-Lila ka prezantuar nismat e Kosovës për zhvillimin e ekosistemit të inovacionit, duke vënë në pah potencialin e vendit për rritje ekonomike përmes teknologjisë, ndërmarrësisë dhe zhvillimit të sektorit të shërbimeve.

Ajo ka theksuar se sektori i shërbimeve në Kosovë ka bilanc pozitiv tregtar, çka, sipas saj, dëshmon mundësitë për zgjerimin e mëtejshëm të këtij sektori dhe kontributin e tij në ekonominë e vendit.

Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim pritet të ketë investimi në infrastrukturën teknologjike dhe industriale, me qëllim krijimin e kushteve për zhvillimin e ideve inovative, rritjen e ndërmarrësisë dhe përmirësimin e konkurrueshmërisë së bizneseve kosovare.

Si një nga asetet kryesore të vendit, Kusari-Lila ka veçuar Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren (ITP), për të cilin shteti i Kosovës ka investuar 8 milionë euro.

Miliona euro mbështetje për bizneset dhe start-up-et

Ministrja ka bërë të ditur se gjatë vitit 2026 janë paraparë masa të ndryshme financiare për mbështetjen e bizneseve, ndërmarrësve dhe inovacionit në Kosovë.

Sipas të dhënave të prezantuara prej saj, mbështetja përfshin:

  • 1.9 milionë euro për 34 ndërmarrje dhe 15 start-up-e;
  • 1 milion euro për 42 përfitues në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK);
  • 1.16 milionë euro për inovacionin në TIK;
  • 1 milion euro për gratë ndërmarrëse.

Këto mjete synojnë të ndihmojnë bizneset në zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve të reja, të nxisin krijimin e ndërmarrjeve inovative dhe të krijojnë mundësi të reja punësimi. Sipas ministres, investimet në inovacion janë pjesë e përpjekjeve për ndërtimin e një ekosistemi ku idetë shndërrohen në produkte dhe shërbime konkurruese, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve.

“Mendje”, përfaqësuese e Kosovës në inovacionin rajonal

Në kuadër të takimit është ndarë edhe çmimi për inovacion, me të cilin janë vlerësuar inovatorë të rinj nga rajoni.

Kosova është përfaqësuar nga Arbnora Kllokoqi, themeluese e platformës “Mendje”, e cila përdor teknologjinë për të lehtësuar qasjen në shërbimet e shëndetit mendor, duke lidhur shqipfolësit me psikologë të licencuar.

Pjesëmarrja e kësaj nisme në aktivitetin rajonal vë në pah rolin që mund të ketë teknologjia në përmirësimin e qasjes në shërbime dhe në zhvillimin e zgjidhjeve inovative për nevojat e qytetarëve.

Në delegacionin e Kosovës, përveç ministres Kusari-Lila, kanë marrë pjesë edhe zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Përparim Kryeziu, si dhe ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami. Takimi është përmbyllur me zotimin e përbashkët për avancimin e objektivave të dakorduara dhe thellimin e bashkëpunimit rajonal e evropian në kërkimin shkencor, inovacion dhe zhvillim. Kusari-Lila ka theksuar se Kosova ka potencial dhe burime njerëzore të talentuara, ndërsa sfida kryesore mbetet krijimi i kushteve që këto kapacitete të përkthehen në zhvillim ekonomik, vende të reja pune dhe mundësi më të mira për qytetarët, transmeton rtk, përcjell helveticALforum.ch

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

PPE: Protestat paqësore në Shqipëri duhet të respektohet plotësisht

0
Partia Popullore Evropiane (PPE) ka theksuar se e drejta për protesta paqësore në Shqipëri duhet të respektohet plotësisht, duke kërkuar hetim të shpejtë, të...