Nga Dashnim HEBIBI
Rrustem Aliaj dhe Kareman Limani, dy afaristë, dy atdhetarë dhe dy miq që dëshmojnë se miqësia e sinqertë nuk ndërtohet mbi interes, por mbi zemër, respekt dhe besnikëri.
Në një kohë kur shpeshherë fjala mik thuhet lehtë, por miqësia harrohet po aq lehtë, ka njerëz që me jetën dhe veprat e tyre dëshmojnë se miqësia e vërtetë është një vlerë që duhet ruajtur me fanatizëm, deri në sekondat e fundit të jetës. Një shembull i tillë frymëzues është miqësia ndërmjet dy afaristëve të njohur, dy njerëzve me zemër të madhe dhe me kontribut të çmuar për çështjen kombëtare, Rrustem Aliajt nga komuna e Suharekës dhe z. Limanit nga komuna e Prizrenit. Të dy jetojnë dhe veprojnë në diasporë, njëri në Zvicër e tjetri në Lihtenshtajn, por largësia nuk ka qenë kurrë pengesë për afërsinë e tyre shpirtërore. Bashkatdhetarët tanë i njohin prej dekadash për punën, përkushtimin dhe kontributin e tyre të vazhdueshëm. Ata janë ndër ata njerëz që nuk kanë pritur duartrokitje për të bërë vepra të mira, sepse besojnë se kontributi nuk bëhet për t’u reklamuar, por sepse është detyrim moral dhe dashuri për vendin e njerëzit e tij.
Rrustem Aliaj – njeriu që ka kontribuar më shumë sesa ka treguar
Rrustem Aliaj është një atdhetar i kahershëm, i cili ndër vite ka dhënë kontribut të pandërprerë në fusha të ndryshme të jetës sonë kombëtare. Ai është president i agjencisë së njohur turistike Malesia Reisen, me qendër në Spreitenbach të Zvicrës, një emër i respektuar në mesin e bashkatdhetarëve tanë. Besimi që udhëtarët kanë krijuar ndër vite ndaj kësaj agjencie nuk është i rastësishëm. Ai është ndërtuar mbi korrektësinë, sigurinë, profesionalizmin dhe përgjegjësinë ndaj klientëve. Shumë bashkatdhetarë që kanë udhëtuar përmes Malesia Reisen e kanë ruajtur besimin e tyre, duke e zgjedhur vazhdimisht këtë agjenci. Por kontributi i z. Aliajt nuk përfundon te biznesi. Ai ka investuar edhe në Kosovë, duke krijuar vende pune dhe duke u dhënë mundësi shumë bashkëkombësve të sigurojnë jetesën. Përkrahja e çështjes kombëtare, angazhimi kulturor, sportiv dhe humanitar janë pjesë e pandashme e veprimtarisë së tij. Një ndër organizimet që mban emrin e tij është edhe turneu i madh i futbollit në Zvicër, Malesia Cup dhe KF Suhareka në Kosovë, i cili dëshmon përkushtimin e tij ndaj sportit, bashkimit dhe ruajtjes së lidhjeve ndërmjet shqiptarëve. Për Rrustem Aliajn mund të shkruhen faqe të tëra, madje ndoshta edhe një libër i tërë. Por, siç do të thoshte vetë ai, nëse do ta dinte se dikush po shkruan për kontributin e tij, ndoshta do të thoshte se nuk kishte nevojë, sepse ai dhe njerëzit si ai kanë zgjedhur të kontribuojnë, jo të rrahin gjoks për atë që kanë bërë.
Limani – një tjetër emër i respektuar i përkushtimit kombëtar
Edhe z. Limani njihet për kontributin e tij në shërbim të kauzës sonë kombëtare. Ai jeton dhe vepron në Lihtenshtajn, ku gëzon respekt të veçantë jo vetëm te bashkatdhetarët, por edhe te miqtë e tij zviceranë. Me sjelljen, përkushtimin dhe marrëdhëniet e ndërtuara ndër vite, ai ka dëshmuar se shqiptari mund të jetë njëkohësisht i suksesshëm në biznes, i respektuar në shoqëri dhe i lidhur fort me rrënjët e tij. Dy burra, dy rrugë jetësore, por një botëkuptim i përbashkët: nderi, respekti, fjala e dhënë dhe miqësia.
Kur miqësia nuk ka interes, ajo bëhet e përjetshme!
Aliaj dhe Limani nuk i ka bashkuar interesi. Ata i ka bashkuar zemra. Familjet e tyre takohen shpesh, bisedojnë, ndajnë momente të bukura dhe kultivojnë një afërsi që është ndërtuar ndër vite. Kjo është miqësia që nuk ka nevojë për dëshmi të mëdha, sepse dëshminë më të mirë e japin vetë vitet.
Është domethënëse edhe një shprehje që Rrustem Aliaj e përsërit shpesh:
“Lehtë është t’i thuash dikujt shok, por miqësinë duhet ta ruash.”
Sa shumë të vërtetë ka në këto fjalë! Sepse shokë mund të kemi shumë, por miq të vërtetë janë ata që qëndrojnë pranë nesh jo vetëm kur kemi sukses, por edhe kur përballemi me vështirësi; jo vetëm kur kemi çfarë të ofrojmë, por edhe atëherë kur nuk kemi asgjë tjetër përveç sinqeritetit dhe zemrës sonë. Në fund të fundit, pasuria e njeriut nuk matet vetëm me atë që ka ndërtuar, me bizneset që zotëron apo me sukseset që ka arritur. Pasuria më e madhe është respekti që gëzon, e mira që lë pas dhe njerëzit që i qëndrojnë pranë me zemër të pastër. Aliaj dhe Limani janë një shembull se si mund të ndërtohet dhe të ruhet miqësia për dekada. Janë dëshmi se largësia nuk i ndan njerëzit që i bashkon zemra dhe se koha nuk e zbeh një miqësi të ushqyer me respekt e besnikëri.
Sepse miqësia e vërtetë nuk matet me numrin e viteve që njihesh me dikë, por me besnikërinë që dëshmon gjatë atyre viteve.
Bizneset mund të ndryshojnë, pasuria mund të shtohet apo të pakësohet, koha mund të kalojë, por një miqësi e shëndoshë mbetet vlerë e përjetshme. Dhe pikërisht këtë na mësojnë këta dy burra: të jesh mik është e lehtë, por të mbetesh mik deri në fund është madhështi njerëzore! Respekt për z. Aliaj dhe z.Limani, për kontributin e tyre dhe, mbi të gjitha, për shembullin e bukur të miqësisë që na japin.










