Nga Bajram Ibrahimaj, Zvicër
Kur koha vret dinjitetin
njeriu humb edhe respektin
kur përfitimi bëhet mbret
nderi e turpi mbesin shkret.
Kur koha vret ndërgjegjen
njeriu harron edhe përgjegjësinë
s’e ndien dhimbjen që tjetrit ia sjell
as lotin që prej syve i del.
Kur koha vret moralin
lakmia ia zë vendin arsyes
shitet fjala, shkelet besa
e nderi mbetet veç kujtesa.
Kur koha vret njerëzinë
ftohet zemra, humb dashurinë
vëllai vëllanë s’e njeh më pranë
e njeriu bëhet i huaj për njerinë.
Kur koha vret drejtësinë
e padrejta merr sundimin
i drejti hesht, i ligu flet
e vlera e njeriut bie krejt.
Kur koha vret besimin
e shkatërron edhe byashkimin
premtimet treten si bora në diell
e fjala e dhënë më s’ka vlerë.
Por koha s’vret veç me kalim
ajo sjell edhe mësim e ndryshim
kush di të ndalet e të reflektojë
gabimet e veta mund t’i përmirësojë.
Prandaj o njeri, mos e fajëso kohën
për çdo të keqe që ta nxin botën
se koha kalon, por vepra mbetet
e vërteta e njeriut kurr nuk tretet .










