Nga Tirana në Berlin, Universiteti “Luarasi” prezanton potencialin akademik të Shqipërisë në një prej platformave më të rëndësishme ndërkombëtare të arsimit të lartë dhe rekrutimit të studentëve.
Universiteti “Luarasi” po përfaqëson Shqipërinë në ICEF Berlin 2026, aktivitetin prestigjioz ndërkombëtar që zhvillohet nga 1 deri më 3 nëntor në kryeqytetin gjerman, duke mbledhur qindra institucione akademike, universitete dhe agjenci ndërkombëtare të edukimit nga e gjithë bota. Në këtë edicion, “Luarasi” është i vetmi universitet nga Shqipëria që merr pjesë, me përfaqësimin e Agim Alisë dhe Lorena Haxhiut. Prania e tij në këtë aktivitet përbën një mundësi të rëndësishme për promovimin e arsimit të lartë shqiptar në arenën ndërkombëtare dhe për forcimin e lidhjeve me aktorët kryesorë të tregut global të edukimit. ICEF Berlin 2026 dëshmon përmasat dhe rëndësinë në rritje të bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e arsimit. Aktiviteti ka mbledhur mbi 870 agjenci ndërkombëtare të rekrutimit të studentëve dhe më shumë se 800 ofrues të shërbimeve dhe programeve arsimore, me përfaqësues nga mbi 120 shtete. Mes institucioneve të njohura që përfaqësohen në këtë platformë janë edhe universitete prestigjioze si Oxford, Cambridge, Stanford dhe MIT.
Për Universitetin “Luarasi”, pjesëmarrja në këtë forum ndërkombëtar shkon përtej një prezantimi institucional. Ajo përfaqëson një hap konkret drejt zgjerimit të bashkëpunimeve akademike, krijimit të partneriteteve të reja dhe rritjes së mundësive për tërheqjen e studentëve ndërkombëtarë. Përmes takimeve me agjenci rekrutimi dhe institucione të ndryshme arsimore, synohet promovimi i programeve akademike dhe i potencialit që ofron Shqipëria si destinacion për studimet universitare. Një prej pikave të rëndësishme të strategjisë së ndërkombëtarizimit të Universitetit “Luarasi” është edhe bashkëpunimi me University of London, me drejtim akademik nga London School of Economics and Political Science (LSE), një prej institucioneve më të njohura akademike në nivel global. Ky bashkëpunim përfshin programet bachelor në Financë, Biznes dhe Menaxhim, si dhe Data Science and Business Analytics, duke u krijuar studentëve mundësinë të studiojnë në Shqipëri dhe të përfitojnë nga standardet dhe kurrikulat akademike ndërkombëtare.
Përfaqësimi në Berlin vjen si pjesë e vizionit të Universitetit “Luarasi” për të zgjeruar horizontet akademike, për të rritur ndërveprimin me institucionet ndërkombëtare dhe për t’i dhënë arsimit shqiptar një prezencë më të fortë në tregun global. Me pjesëmarrjen në ICEF Berlin 2026, Universiteti “Luarasi” synon jo vetëm të promovojë emrin dhe ofertën e tij akademike përtej kufijve, por edhe të bëhet një ambasador i potencialit arsimor të Shqipërisë në një skenë gjithnjë e më konkurruese ndërkombëtare./BW










