
Nga Rexhep Elezaj
Vrasja e grave është krim kundër kombit shqiptar, është gjenocid brenda llojit, sidomos për shqiptarët në Kosovë, për shkakun madhor, sepse gjyshja, nëna, motra, vajza, gruaja, nusja, halla, tezja, mësuesja, këngëtarja, artistja, baresha, fshatarja, qytetarja, dhe malësorja shqiptare, ishin ato të cilat me punën, sakrificën dhe përkushtimin e tyre kombëtar e familjar përgjatë shekujve, pa asnjë mëdyshje, janë heroina të kombit që i tejkalojnë kontributet dhe meritat e burrave shqiptarë, në bërjen, ruajtjen, zhvillimin, përparimin dhe rritjen e kombit tonë në numër, natalitet, në arsim, kulturë, art, ekonomi, luftë, liri, emancipim dhe prosperitet kombëtar e shoqëror.
Të vrasësh dhe privosh nga jeta një grua shqiptare, pa meritat e të cilës kombi shqiptar kurrë nuk do të ishte ky që është sot, është njësoi sikur ta vrasësh krejt njerëzimin, (Kur`an, Maide: 32: „Kushdo që vret një njeri, për shkak të ndonjë çrregullimi (konflikti-problemi) në tokë, është sikur ta ketë vrarë gjithë njerëzimin”), pra është fëmicid dhe krim kundër njerëzimit, sepse vrasja e një nëne është vrasje e fëmijëve trashëgimtarë, në duart e të cilëve mbetet, vazhdon të rritet dhe forcohet shteti, kombi dhe atdheu.
Për vrasjen e një gruaje, dënimi duhet të jetë, ose dënim me vdekje, ose me burgim të përjetshëm, si mënyra e vetme për eliminimin e individëve me gjene kriminale, por edhe si masë edukative, penguese dhe mbrojtëse e qenies fizike të kombit nga vrastarë me instinkt dhe psikikë të sëmurë nga sindromi i etjes për gjak, sikur ata snajperistët gjahtarë “Safari” të cilët në vitet 1992 – 1996 vrisnin civilë në qytetin e Sarajevës si dëfrim dhe gjah ndaj njerëzve, sikur të ishin ata kafshë të egra..!?
Mjerisht në Kosovë pas çlirimit të saj me 10 qershor 1999 e deri më sot janë vrarë 97, nga të cilat 7 gra janë vrarë në këtë vit, dukuri kjo e cila në mënyrë të qartë flet, se në shoqërinë tonë të lirë e demokratike, në një shtet të pavarur, ka ndodhur një devijim i rënd në fushën e arsimit dhe edukimit, që si pasojë tragjike ka shkaktuar degjenerim moral, psikik, emocional dhe kombëtar me vrasje të gjinisë femërore, të cilat nëse analizohen mirë dhe veç e veç, do rezulton se të gjitha kanë ndodhur pa ndonjë shkak dhe arsye të madhe. Prandaj, po të kishte funksionuar mirë sistemi edukativ, social dhe siguria e duhur fizike në çdo institucion dhe rreth familjar, jam i sigurt, se numri i vrasjeve të grave do të ishte shumë më i vogël.
Se pse ka ndodhur i gjithë ky degradim moral, edukativ, patriotik, e gjithë kjo katrahurë brenda familjes shqiptare, shfrenim dhe shkelje kaq e rënd e vlerave dhe traditave autoktone shqiptare në shoqërinë shqiptare në Kosovë dhe jo vetëm, janë pyetje në të cilat nuk ka kush të japë përgjigje, sidomos ASHAK-së duhet të ndjehet e turpëruar, e cila gati qe tri dekada është marrë peng nga heshtja e varrit, pa ofruar kurrë program konkret, se si populli shqiptar i Kosovës mund të dalë nga humnera në të cilën ka rënë në vitet e pas luftës, edhe për shkak të heshtjes së saj, si ajkë e shoqërisë, por edhe të erozionit të brendshëm moral dhe kombëtar të individit dhe shoqërisë shqiptare, sidomos në Kosovë dhe Shqipëri.










