Përgatiti Dashnim HEBIBI
Pas ngjarjeve tragjike që kanë tronditur sot Gjilanin dhe rajonin e Anamoravës, ka reaguar edhe afaristi dhe veprimtari i njohur shqiptar në Zvicër, Visar Robelli, njëherësh kryetar i Rrjetit të Bizneseve në Zvicrën Qendrore. Përmes një mesazhi prekës dhe plot dhimbje, Robelli ka shprehur shqetësimin e tij të thellë për rastet e vrasjeve dhe dhunës që po tronditin shoqërinë, duke theksuar se asnjë konflikt apo mosmarrëveshje nuk mund të arsyetojë marrjen e jetës së një njeriu. Ai ka bërë thirrje për më shumë ndërgjegjësim, edukim, respekt, përgjegjësi familjare dhe reagim institucional, në mënyrë që tragjedi të tilla të parandalohen dhe të mos përsëriten më.
Në reagimin e tij, Visar Robelli ka shkruar:
“Gjilani dhe Anamorava nuk e meritojnë këtë dhimbje!
Me zemër të rënduar po i përcjellim ngjarjet e fundit në Gjilan dhe në mbarë rajonin e Anamoravës.
Vrasjet dhe rastet e dhunës që po marrin jetë njerëzish, gra, burra dhe familjarë, janë një tragjedi e madhe për shoqërinë tonë.
Është e tmerrshme dhe thellësisht shqetësuese që në vendin tonë, në qytetin tonë të lindjes, po humben jetë njerëzish në rrethana kaq të dhimbshme.
Asnjë konflikt, asnjë mosmarrëveshje dhe asnjë arsye nuk mund ta arsyetojë marrjen e jetës së një njeriu!
Dhuna nuk duhet të bëhet pjesë e normalitetit tonë. Duhet më shumë ndërgjegjësim, edukim, respekt, përgjegjësi familjare dhe reagim institucional për të parandaluar tragjedi të tilla.
Ngushëllime e mija të sinqerta të gjitha familjeve që kanë humbur më të dashurit e tyre.
Urojmë që asnjë Familje të mos humbas asnjë anëtar të tyre më.
Urojmë që këto tragjedi të mos përsëriten më kurrë.
Gjilan, Anamoravë dhe Kosovë na duhet më shumë jetë, më shumë dashuri dhe më pak dhunë!”
Reagimi i Robellit vjen si një mesazh solidariteti dhe dhembshurie në këto momente të rënda për Gjilanin dhe Anamoravën. Ai rikujton se jeta njerëzore është e shenjtë dhe se shoqëria ka nevojë për më shumë paqe, mirëkuptim dhe përgjegjësi, në mënyrë që familjet të mos përballen më me dhimbje të tilla. Mesazhi i tij është një thirrje për reflektim kolektiv: më shumë jetë, më shumë dashuri dhe më pak dhunë.










