Lucern, 13 qershor 2026 – Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, mori pjesë sot në Takimin Ekonomik & Panairin B2B – Lucernë 2026, një ngjarje e rëndësishme ekonomike e organizuar nga Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare në Zvicër. Siç mëson helveticALForum.ch, Kusari-Lila e vlerësoi lart këtë aktivitet, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik ndërshqiptar dhe rolin strategjik të diasporës në zhvillimin e vendit.

“Me ftesë të z. Visar Robelli, Kryetar i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qendrore, mora pjesë në Takimin Ekonomik & Panairin B2B – Lucernë 2026, ku pata mundësinë të takoj ndërmarrës dhe profesionistë shqiptarë nga Zvicra, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Lugina dhe diaspora”, ka shkruar ajo.
Gjatë takimeve dhe diskutimeve, ministrja në detyrë theksoi rëndësinë e rrjetëzimit, krijimit të partneriteteve të reja dhe fuqizimit të bashkëpunimit ekonomik mes shqiptarëve kudo që jetojnë dhe veprojnë. Në fjalën e saj, Kusari-Lila vuri në pah kontributin e jashtëzakonshëm të diasporës shqiptare, duke e cilësuar atë si një nga shtyllat më të rëndësishme të zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe një faktor kyç në ruajtjen e lidhjeve të forta mes shqiptarëve në mbarë botën. Ajo gjithashtu prezantoi mundësitë që Kosova ofron për investime dhe zhvillim të biznesit, si dhe angazhimin institucional për krijimin e një klime sa më të favorshme për investitorët vendorë dhe ata nga diaspora.

Sipas saj, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të investojë deri në 30 milionë euro për zhvillimin e parqeve industriale në disa komuna të Kosovës, përfshirë Gjilanin, Frashërin e Mitrovicës, Lipjanin, Drenasin, Podujevën dhe Shtimen. Në përmbyllje, Kusari-Lila shprehu mirënjohjen e saj për organizatorët dhe pjesëmarrësit, duke vlerësuar përkushtimin e tyre në fuqizimin e rrjetit të bizneseve shqiptare dhe promovimin e bashkëpunimit ekonomik në nivel global. Në këtë ngjarje morën pjesë edhe ambasadorët e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në Zvicër, shefi i Misionit Konsullor të Kosovës në Cyrih, filantropi i njohur Lazim Destani, si dhe personalitete të tjera të shquara nga bota e biznesit, diplomacisë dhe veprimtarisë shoqërore shqiptare. (Foto nga M.K)




