Prishtinë – Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka vlerësuar rolin e rëndësishëm të diasporës shqiptare në Gjermani në nxitjen e investimeve dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë. Konjufca mori pjesë në edicionin e tretë të Forumit Ekonomik Gjermano-Kosovar, të mbajtur në Prishtinë, ku në kuadër të një paneli të veçantë u diskutua kontributi i diasporës në zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet dy vendeve. Gjatë këtij aktiviteti, kryediplomati kosovar shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës, duke theksuar rëndësinë e kësaj miqësie në proceset e lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit të vendit.
Ai vlerësoi gjithashtu kontributin e diasporës në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, si dhe në krijimin e lidhjeve profesionale dhe afariste me institucionet dhe bizneset gjermane.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Konjufca theksoi se diplomacia ekonomike e Kosovës synon që këto lidhje të shndërrohen në mundësi konkrete për zhvillimin e vendit. Në këtë drejtim, rëndësi të veçantë u kushtohet krijimit të partneriteteve ndërmjet bizneseve, tërheqjes së investimeve dhe lehtësimit të komunikimit ndërmjet investitorëve dhe institucioneve të Kosovës.
Në këtë proces, rol të rëndësishëm pritet të vazhdojnë të kenë edhe ambasada dhe konsullatat e Kosovës në Gjermani, të cilat do të bashkëpunojnë me shoqatat e biznesit dhe profesionistët e diasporës për të identifikuar mundësi të reja ekonomike.
Forumi Ekonomik Gjermano-Kosovar shërben si një platformë për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet bizneseve dhe institucioneve të të dyja vendeve, duke krijuar hapësirë për investime të reja dhe shkëmbim të përvojave profesionale.
Përmes angazhimit të diasporës dhe thellimit të marrëdhënieve ekonomike me Gjermaninë, Kosova synon të krijojë mundësi të reja për zhvillim ekonomik, rritje të investimeve dhe avancim të perspektivës së saj evropiane.










