Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka marrë pjesë në ceremoninë solemne të shënimit të 103-vjetorit të Republikës së Turqisë, ku ka vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në fusha me interes të përbashkët. Në fjalën e saj, Presidentja Shiroka Pula rikujtoi rëndësinë historike të themelimit të Republikës së Turqisë nën udhëheqjen e Mustafa Kemal Atatürkut, duke e cilësuar këtë datë si një moment të rëndësishëm në historinë e popullit turk dhe në ndërtimin e shtetit modern turk. Me këtë rast, ajo përcolli urimet më të përzemërta për popullin turk dhe institucionet e Republikës së Turqisë, duke theksuar se Turqia për Kosovën përfaqëson një partner strategjik dhe një aleat të rëndësishëm.
Presidentja vuri në pah mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë për Kosovën, duke përmendur kontributin e saj në ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999, njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe përpjekjet për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë.
Një vëmendje të veçantë në fjalimin e saj i kushtoi edhe bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke theksuar rëndësinë e thellimit të partneritetit në ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.
Ajo gjithashtu vlerësoi rolin e komunitetit turk në Kosovë dhe të mërgatës shqiptare në Turqi, duke i cilësuar ata si ura të pazëvendësueshme të miqësisë dhe lidhjes ndërmjet dy popujve. Në përmbyllje të fjalës së saj, Presidentja Shiroka Pula shprehu bindjen se Kosova dhe Turqia do të vazhdojnë ta thellojnë partneritetin në të gjitha fushat me interes të përbashkët, duke u mbështetur në besimin e ndërsjellë, miqësinë tradicionale dhe vizionin për bashkëpunim të qëndrueshëm, transmeton rtk.










