
Nga Saime ISUFI, Zvicër
Klithmë për drejtësi
Mos më sillni lule mbi varr,
Kur dje ju luta të më shpëtonit!
Sot më vajtoni me lot në sy,
Po ku ishit kur duhej
të më mbronit?!
Me duar që dridheshin shkrova një letër,
Çdo rresht një klithmë, çdo fjalë një vaj,
Ju kërkova mbrojtje, jo mëshirë,
Pse sot jam në varr, kush e mban këtë faj?!
A duhej gjaku im të derdhej,
Që zëri im më në fund të dëgjohej?!
A duhej jeta ime të shuhej,
Që ndërgjegjja juaj të zgjohej?!
O shtet, ku ishe kur kërkova ndihmë,
Kur frika më ndiqte në çdo hap?!
Ligji s’duhet të zgjohet mbi varre,
Por jetën ta mbrojë para se jetën ta jap!
Mos më qani sot me fjalë të kota,
As me kurora mos ma mbuloni harrimin!
Drejtësi kërkoj, jo lot mbi varr,
Dhe përgjegjësi për mosveprimin!
Se gruaja nuk lind
për t’u vrarë,
As për të jetuar me frikë në sy!
Shtet, mbroji gratë sa janë gjallë,
Që nesër të mos vajtojmë përsëri!










