Vetëm 15 vjeç, rreth 700 gola në kampionatet e moshave, një titull kombëtar me Milanin dhe tani një hap i madh drejt futbollit profesionist. Akram Jadid po tërheq vëmendjen e stafit të Milanit dhe është grumbulluar për herë të parë me ekipin e parë në Milanello. Jadid, i lindur në vitin 2011, është një nga talentet më interesantë të akademisë kuqezi. Ai nisi të luante futboll te Voluntas Montichiari dhe iu bashkua Milanit në vitin 2022. Që prej atëherë, sulmuesi ka përshpejtuar ndjeshëm zhvillimin e tij, duke luajtur shpesh kundër kundërshtarëve më të mëdhenj në moshë. Shifrat janë mbresëlënëse. Në kampionatet e moshave, Jadid ka realizuar rreth 700 gola, ndërsa vetëm në sezonin e tij të parë me Milanin, 2022-23, vlerësohet se ka shënuar më shumë se 300. Konfirmimi i fundit i talentit të tij erdhi pak javë më parë, në finalen kombëtare të kategorisë U15 ndaj Empolit. Milani fitoi 2-0 dhe Jadid shënoi një prej golave vendimtarë, duke ndihmuar skuadrën të shpallej kampione e Italisë. Sulmuesi nuk është kufizuar vetëm te grupmosha e tij. Ai ka luajtur edhe me U16 dhe U17, duke u përballur vazhdimisht me futbollistë më të mëdhenj. Por Jadid nuk është vetëm një golashënues. Ai kombinon forcën fizike, teknikën, driblimin dhe aftësinë për të mbajtur topin, duke marrë pjesë aktivisht edhe në ndërtimin e aksioneve.
Futbolli është pjesë e familjes së tij. Akram Jadid është nipi i Abderrazzak Jadid, ish-mesfushorit që luajti në Serie A dhe Serie B me skuadra si Brescia, Parma dhe Salernitana. Megjithatë, i riu po përpiqet të ndërtojë një histori tërësisht të tijën. Hapi më i rëndësishëm erdhi në ditët e fundit. Ruben Amorim e ka përfshirë Jadid në një seancë stërvitore me ekipin e parë në Milanello, duke i dhënë mundësinë të punojë përkrah futbollistëve profesionistë.
Në moshën 15-vjeçare, kjo përfaqëson një hap të jashtëzakonshëm për sulmuesin, i cili tashmë ka filluar të shihet si një nga projektet më interesante të akademisë së Milanit, transmeton kjone.










