Nga Dashnim HEBIBI
Kur fjala e lirë vlerësohet, triumfon kultura, meritokracia dhe identiteti kombëtar
Në kohë kur vlerat shpesh mbeten në hije, është inkurajuese të shohësh se ende ekzistojnë njerëz që dinë t’i njohin, t’i çmojnë dhe t’i promovojnë arritjet e të tjerëve pa asnjë hezitim. Pikërisht ky është misioni i revistës ndërkombëtare dhe të pavarur MIRIADE, e cila në numrin e saj më të ri i ka kushtuar hapësirë një shkrimi në gjuhën italiane për dy sukseset e mia të rëndësishme të arritura në Itali – në Romë dhe në Venecia – ku u nderova me çmime për Fjalën e Lirë nga organizata prestigjioze ndërkombëtare. Për këtë vlerësim dhe promovim, mirënjohja ime më e thellë i takon poetes, përkthyeses dhe publicistes Angela Kosta, një personalitet me shpirt fisnik, e cila prej vitesh po ndërton ura komunikimi mes kulturave dhe po i jep zë letërsisë shqiptare në Evropë dhe më gjerë. Angela Kosta është dëshmia se meritokracia ende jeton.

Ajo nuk promovon emra për interesa personale, por mbështet ata që me punë, përkushtim dhe krijimtari kanë fituar vendin e tyre. Kjo është madhështia e njerëzve që e duan suksesin edhe për të tjerët, sepse e dinë se vlerat e vërteta vetëm sa e lartësojnë kulturën dhe kombin. Përmes përkushtimit të saj, fjala ime poetike dhe krijimtaria ime kanë depërtuar në shumë vende të Evropës dhe botës. Çdo varg, çdo vlerësim dhe çdo sukses nuk i përkasin vetëm autorit, por janë një jehonë e identitetit tonë kombëtar.

Prandaj, me krenari, këto arritje ia kushtoj vendlindjes sime dhe shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, asaj etnie që ka frymuar, frymon dhe do të frymojë gjithmonë shqip. Kudo që arrin fjala ime, aty dëgjohet edhe emri i kësaj treve, historia, kultura dhe dinjiteti i saj. Faleminderit, Angela Kosta, për besimin, për mbështetjen dhe për misionin fisnik që kryeni. Njerëz si ju dëshmojnë se arti dhe letërsia nuk njohin kufij, ndërsa vlera, kur mbështetet nga njerëz të mëdhenj, bëhet ambasadorja më e denjë e një kombi. Këto vlerësime janë një motivim për të vazhduar të krijoj dhe të përfaqësoj me dinjitet kulturën shqiptare kudo që më jepet mundësia. Besoj se çdo arritje individuale fiton kuptim më të madh kur shndërrohet në një vlerë të përbashkët dhe kur kontribuon në promovimin e gjuhës, letërsisë dhe identitetit tonë kombëtar. Mirënjohja ime shkon për të gjithë ata që besojnë te meritokracia, mbështesin krijuesit dhe dëshmojnë se kultura është një urë që bashkon njerëzit dhe popujt.




