BallinaKultura"Botë të përthyera kadareane"

“Botë të përthyera kadareane”

-

Nga Prof. Lili Sula

Miq, ndaj me ju kënaqësinë e botimit të monografisë ‘Botë të përthyera kadareane’ një punë disa vjeçare studimore, e konceptuar si pikëprerje e disa këndvështrimeve mbi poetikën e prozës së I. Kadaresë, ku përthyerja e përvojës së diktaturës në gjuhën e letërsisë universale zë vendin më të rëndësishëm.

Në veprën e Kadaresë, diktati, kontrolli dhe mbikëqyrja e shndërrojnë individin në një qenie të shformuar, të nënshtruar ndaj makinerisë shtypëse, e zhveshin nga dinjiteti dhe vlerat humane, duke e kthyer jetën e tij në një makth të përhershëm. M’anë tjetër, pushteti totalitar vepron duke shkatërruar kujtesën e individit dhe të kombit me qëllim manipulimin e historisë. Këto janë disa konstante themelore të rrëfimeve kadareane, të cilat shqyrtohen thuajse në gjithë punimin.

Përmes shenjave simbolike dhe alegorike të imagjinatës letrare, të përthyera në realitete historiko kulturore të gjithkohshme, shqyrtohen raportet dypalëshe mes utopisë dhe distopisë. Këto raporte ndërtohen në bosht ligjërimor projektuar prej një presioni të lartë, ushtruar nga mekanizmat shtypës të pushtetit totalitar, përballë perspektivës së lirisë individuale dhe kolektive.

Bota e rrëfyer është tërësisht absurde dhe groteske dhe, ëndrra, si produkt i pavetëdijshëm i zonave më të thella dhe intime të individit, përmbyset dhe përdoret për të ndërtuar pamje të çuditshme dhe tragjike që prodhon survejimi dhe kontrolli totalitar.

Duke e analizuar veprën e Kadaresë përmes një prerjeje sipas konceptesh foucault-iane, kënvështrimi i tij distopik mbi sistemin totalitar arrin dhe bëhet reflektim gjithorizues mbi natyrën universale të pushtetit.

Romanit Pallati i Ëndrrave – një panoptikon metafizik ku pushteti kontrollon zonën më të thellë dhe intime të njeriut, i bashkohet romani Qorrfermani dhe tregimi Lamtumira e së keqes, ku shteti përtej një mekanizmi që sundon së jashtmi, në kuptimin e jetës së dukshme, synon të shkatërrojë vetë ndërgjegjen dhe shpresën, të deformojë historinë dhe kujtesën kolektive dhe të imponojë narrativën e tij. Kujtesa kolektive projektohet si proces i riformësimit të identitetit kombëtar nën presionin e pushtetit, ndërsa mitet kombëtare deformohen dhe përmbysen, në mënyrë që pushteti të shpikë narrativa të reja për të legjitimuar nënshtrimin.

Qorrfermani përbën një rast të skajshëm të dhunës panoptike: pushteti nuk mjaftohet me vëzhgim, por shkatërron vetë organin e shikimit, për të zhdukur mundësinë e të vështruarit larg, për pasojë dhe mundësinë e kundërshtimit. Ky mohim i shikimit, në thelb, i mohon njeriut lirinë dhe e zhvesh individin nga tiparet ekzistenciale.

Ndonëse rrëfimi në këto vepra përqendrohet në Perandorinë Osmane, simbolikisht ai ka karakter të tejkohshëm dhe na përcjell njëherazi distopitë që kanë shoqëruar njerëzimin prej hershmërie dhe, bashkë me to, dhe përpjekjen rraskapitëse të shpirtit të përbashkët të popujve për ruajtjen e vlerave humane, qenësisë dhe thelbit njerëzor.

Pjesa e dytë e këtij punimi thellohet në analizën e veprave të veçanta, duke nisur me tregimin Ëndërr mashtruese, konceptuar si një bërthamë rrezatuese në krijimtarinë e Kadaresë. Këtu ëndrra trajtohet si një gjetje figurative me strukturë narrative përmes së cilës traumat e shekullit XX të periudhës së diktaturës projektohen në simbole të subkoshiencës gjithënjerëzore që depërtojnë deri në zonat e nënvetëdijes të të gjitha kohërave. Në këtë rrëfim të veçantë ndërthuren iluzioni i pafundmë, dhuna dhe shpresa, sidomos përmes fantastikes. Në këtë plan të pambarimtë, duke kaluar nga kjo vatër fabulore te i gjithë korpusi kadarean, ëndrrat me sy hapur do të marrin dhe trajtën tjetër: atë të utopisë letrare, ndërsa dialektika e ëndrrës vijon të lëvizë mes manipulimit dhe zhgjëndrrës.

Religjioni, si një dimension tjetër themelor i prozës romanore dhe tregimtare të Kadaresë, trajtohet në dy plane konceptuale dhe ligjërimore. Në planin narrativ, ai shfaqet si strukturë simbolike dhe alegorike e konvertimit dhe ringjalljes, si në romanin Çështje të Marrëzisë dhe në tregimin Kisha e Shën Sofisë, murale. Ndërsa në planin tjetër, religjioni analizohet në kontekstin e debatit mbi identitetin shqiptar, duke marrë formën e një eseje reflektive. Kapitulli ndalet në nyjat e holla rrëfimore, prej të cilave jehonat ideologjike ndërkallen sa midis marrive, kokëshkrepjeve e befasive në misterin e muzgut të rrëfimeve kadareane, e sa në ligjërimin historik e politik mbi identitetin kombëtar. Religjioni shfaqet në këtë kërkim si një bosht interpretativ që lidh dimensionin estetik me atë historiko kulturor.

Proza e Kadaresë, e trajtuar në kapitullin vijues, artikulohet mbi boshtin e kujtesës, shenjat e së cilës projektohen në rrjedhën vertikale të kohës dhe materializohen përmes gjurmëve ndërtekstore në romanet Dosja H. dhe Përbindëshi. Këto gjurmë përfshijnë vazhdimësinë e fillit të paraardhësve krijues, duke trokitur në kujtesën e lexuesit si çelësa për ta lexuar historinë si bashkëkohësi. Kapitulli ndalet pikërisht në këtë përmasë të kujtesës, duke e konceptuar si shtyllë themelore të artit kadarean dhe si dukuri që fton qasjen hermeneutike për të kuptuar marrëdhënien e ndërlikuar mes letërsisë, historisë dhe identitetit kolektiv.

Rifunksionalizimi i mitit te Përbindëshi shqyrtohet në planin simboliko-alegorik, ku format arkaike ndërthuren me mjetet moderne vetëlëvizëse, duke ndriçuar ‘makinën e përbashkët të frikës’ që shoqëron çdo brez njerëzor. Ky proces i shkrirjes së formës antike me teknologjinë moderne prodhon një figurë të re dhe origjinale të pushtetit grotesk, i cili ngjall pa ndërprerje dyshime, trysni dhe ankth. Kujtesa, si mekanizëm i gjallë, shpërfaqet si fushë e vazhdueshme tensioni ku miti, historia dhe përvoja e njeriut shkrihen në një trajtë të re dhe origjinale për të formësuar identitetin nën presionin e pushtetit.

Topika e ‘kalit’ në romanin Përbindëshi shfaqet si alegori e traumës historike dhe e formave, që pushteti totalitar përdor për të manipuluar të vërtetën. Ky topos, i rrënjosur në arketipin homerik, përmes tradhtisë politke, transformohet në instrument të pushtetit absolut bashkëkohës. Kalimi nga Troja në Tiranë e vendos këtë figurë në një kontekst të terrorit të përhershëm, prandaj mund të themi se estetika e tmerrit që e bën Përbindëshin një monument universal të frikës dhe manipulimit totalitar.

Nga analiza e romaneve, vërehet se Dosja H. dhe Përbindëshi përfaqësojnë dy pole të kujtesës kadareane: Përbindëshi është simbol i dhunës dhe përpjekjeve për shkatërrim të qytetërimeve, ndërsa Dosja H. manifestim i lirisë shpirtërore, trashëguar nga epika popullore gojore; njëra e lidhur me shtypjen dhe deformimin e kujtesës, tjetra me ruajtjen dhe ringjalljen e saj si burim kulturor.

Falë këtyre konstanteve universale që ndërtojnë strukturën e rrëfimit të tij, Ismail Kadareja mbetet autori më i përkthyer në historinë e letërsisë shqipe. Veprat e tij janë përkthyer në rreth pesëdhjetë gjuhë, duke e bërë, sipas të gjitha gjasave, shkrimtarin shqiptar më të lexuar të të gjitha kohërave. Përkthimi, si akt i ndërmjetësimit kulturor, përfaqëson formën më intime të dialogut ndërmjet gjuhëve dhe dëshmon se ato nuk janë të huaja mes tyre, por komunikojnë në mënyrë dinamike përmes tekstit letrar. Krijimtaria e Kadaresë përbën rastin më të veçantë në letrat shqipe, që vendos marrëdhënien e gjuhëve në një proces të gjallë të transmetimit dhe të ripërtëritjes së kuptimeve, tejçimit të veprave letrare te lexuesi i huaj/tjetër.

Për këtë, në pjesën e tretë të librit nën titullin La Bambola – objekti letrar dhe përkthyeshmëria, trajtohet roli i tejet i rëndësishëm i përkthimit në qarkullimin e veprës së autorit në botë – duke u ndalur në specifika të veprës Kukulla, portreti i nënës, në gjuhën italiane.

Në leximin paralel shqip–italisht të Kukullës vihen re disa veçori të përkthimit si dhe problematika, si: reduktimi i rrëfimit dhe ngushtimi leksikor e sintaksor, të cilat sjellin humbje të një pjese të vlerës estetike të tekstit. Këto dallime nënvizojnë rolin vendimtar të përkthyesit në përcjelljen e veprës te lexuesi i huaj, si dhe përgjegjësinë e shtëpive botuese për të garantuar përzgjedhje profesionale dhe kompetencë të plotë në përkthim.

Kukulla: portreti i nënës si një nga tekstet më moderne të autorit, përcjell në vetvete procesin e objektivizimit të figurës së nënës që nuk jeton më. Ajo zhvishet nga tiparet konvencionale për të shënjuar një ide tjetër – larg “portretit” tradicional dhe pranë konceptit të “portretit” në artin modern, si gjetje që vjen një bote të pashembullt krijuese, një laborator që është në kërkim të së resë edhe në krijimet më të mbrame të autorit. Analizohet në këtë pjesë të punimit rrëfimi i të birit “spektator”, ndërtuar përmes një kolazhi imazhesh të kujtesës që nxjerrin në pah thelbësoren e veçantë dhe një lidhje tejet specifike mes figurës së nënës me dimensionin më të rëndësishëm: artin, aktin krijues si vetëdije burimore në thellësi të thellësive të psikes njerëzore.

Vepra rrëfimore e Ismail Kadaresë është e lidhur ngushtë me përvojën historike të Shqipërisë, por gjithashtu komunikon me traditën e madhe të letërsisë botërore, nga Homeri, Eskili, Aligeri, Shekspiri, Gogoli, Andriçi, Borgezi, Kafka, Markezi etj., cilët kanë trajtuar fatin e njeriut dhe shoqërive njerëzore deri te Zamjatini, Orwelli e Huxley, autorë të të njëjtit univers letrar të rrëfimit të fatit të qenies njerëzore dhe fatit të kombeve në sisteme totalitare. Në një rrjet intertekstor në pjesën Kadare dhe tradita botërore, hetohen gjurmë të arketipit të dhunës universale, të institucioneve të presionit apo analogji të pushtetit absolut në ligjërime polivalente.

Interpretimi i rrëfimeve në plan simbolik dhe alegorik të ndërtimit dhe funksionimit të mekanizmave totalitarë, vijohet në këtë qasje komparative, në një perspektivë më të gjerë, të arketipeve, formave ekstreme të mbikëqyrjes, absurditetit të kontrollit përmes policisë së mendimit deri tek ëndrrat dhe simbole të tjera të individualitetit dhe unit kolektiv të shtypur.

Përmes këtij këndvështrimi përqasës, mes Kadaresë dhe përvojave themelore të letërsisë botërore që japin e marrin me njëra tjetrën ngrihen pyetje themelore mbi lirinë, kontrollin dhe vlerat humane, si dhe gjetjet individuale dhe format e artikulimit të tyre në fondin e përbashkët të artit. Shqyrtuar nga ky këndvështrim, në hartën e përbashkët mes vlerave të përbotshme shí në pikë të takimit me vizionet e autorëve që trajtuan veprën e tyre jetësore mbi fatin e njeriut dhe shoqërisë, Kadareja arrin e shquhet si një zë i veçantë që mundet të na ofrojë një tejqyrë të gjithkohshme mbi raportin mes pushtetit, pavetëdijes dhe qenësisë njerëzore.

Këto tema përbëjnë një korpus çështjesh që synojnë, para së gjithash, të mbështesin interesat studimore të sotme mbi letërsinë e këtij autori, duke ofruar një bazë tjetër për analizë dhe reflektim kritik. Njëkohësisht, ato priren të kënaqin edhe kërshërinë e lexuesit të kualifikuar, duke e ftuar dhe një herë të marrë pjesë në diskutime mbi dukuri të ndryshme që kanë qenë objekt debatesh të gjera në opinionin letrar dhe shoqëror.

Në fund të librit përfshihet një bisedë me shkrimtarin, e cila ndriçon çështje të rëndësishme si: marrëdhëniet e autorit me gjuhën; liria e individit në shoqëritë diktatoriale dhe ato tranzitore, si edhe raportet mes rrëfimit artistik dhe lirisë; tonet e errëta të prozës së tij, të afërta me letërsinë e F. Kafkës; roli i autocensurës në letërsi në vende ku censura është e ashpër; marrëdhënia me lexuesin gjatë procesit krijues; qarkullimi botëror i veprës e të tjera.

…

Botët e përthyera kadareane vjen si rezultat i një përvoje të gjatë leximi të prozës së shkrimtarit dhe synon të ofrojë një pamje më të plotë, me theks të veçantë mbi dimensionin distopik të veprës së tij, duke e trajtuar si shenjë të fuqisë unikale të artit të fjalës dhe si emërues përbashkues me autorë të letërsisë botërore. Analiza e prozës së Kadaresë, në këndvështrim të religjionit, kujtesës dhe përkthimit, të cilat kulmojnë në rrafshin e modelit krijues të autorit, synon të përcjellë dinamika të mozaikut estetik të tij me dëshirimin që kjo punë të kontribuojë, sado në mënyrë modeste, në hapjen e dritareve të reja të interpretimit dhe të shërbejë si nxitje për reflektime të mëtejshme kritike në fushën e studimeve letrare./GDielli

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Hetimi i “Le Monde” ngre dyshime për trajtim të pabarabartë të...

0
Dokumentet e brendshme të FIFA-s, sipas gazetës franceze “Le Monde”, zbulojnë mospërputhje mes rekomandimeve të juristëve dhe vendimeve të marra në rastin e portierit...