POSTIMET E FUNDIT

Ansambli “TROJET” ju uron pushime verore të mbara dhe të bekuara!

ATDHEU NA THËRRET

Ansambli i Këngëve dhe Valleve “TROJET”, me qendër në Winterthur të Zvicrës, u uron nga zemra të gjithë bashkatdhetarëve që janë nisur ose kanë mbërritur në trojet shqiptare pushime të mbara, rrugë të sigurta dhe ditë të mbushura me gëzim, shëndet e bekime. Le të jetë kjo verë një mundësi për t’u çmallur me vendlindjen, për të forcuar lidhjet me rrënjët tona dhe për t’ua përcjellë brezave të rinj dashurinë për gjuhën, historinë, kulturën dhe kombin shqiptar. Ju urojmë që çdo hap në atdhe të jetë krenari, çdo takim të jetë gëzim dhe çdo kujtim të mbetet i paharruar.

PUSHIME VERORE TË MBARA DHE TË BEKUARA

Të dashur anëtarë, prindër dhe miq të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “TROJET”,

Pas një sezoni të mbushur me punë, përkushtim, emocione dhe suksese, ka ardhur koha të pushoni, të çlodheni dhe të kaloni më shumë kohë pranë familjeve dhe njerëzve tuaj më të dashur.

Nga zemra ju urojmë pushime të mbara, shëndet, gëzim, begati dhe udhëtime të sigurta, kudo që do t’ju çojë rruga.

Nëse gjatë kësaj vere vizitoni Kosovën, Shqipërinë, Iliridën apo tgjitha vendet të trojet tona shqiptare, shfrytëzojeni këtë kohë të vyer për t’i afruar fëmijët edhe më shumë me historinë, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar.

Vizitoni muzetë, kullat historike dhe komplekset memoriale. Ndaluni në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, te memoriali i Heroit Zahir Pajaziti, te memoriali i Heroit Agim Ramadani në Koshare, te kompleksi memorial i vëllezërve Luan e Shkëlzen Haradinaj në Gllogjan, si dhe në vendet ku prehen të gjithë heronjtë dhe dëshmorët e kombit që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Vizitoni gjithashtu qytetet tona historike, kalanë e Krujës, Prizrenin, Gjakovën, Shkodrën, Beratin, Ulqinin, Ohrin dhe çdo vend tjetër ku ruhen thesaret e historisë, kulturës dhe traditës shqiptare.

Le t’i njohin fëmijët tanë këto vende të shenjta. Le ta kuptojnë se liria, gjuha dhe flamuri ynë janë trashëgimi e mbrojtur, fituar me shumë sakrificë. Këto janë mësime që nuk i zëvendëson asnjë libër dhe kujtime që mbeten përgjithmonë në zemrat e brezave të rinj.

Kudo që të shkoni, në tokën dardane, në Arbëri, në Iliridë apo në Shqipërinë mëmë, shijoni aromën e atdheut, bukurinë e vendlindjes, mikpritjen shqiptare dhe pasurinë e kulturës sonë. Frymëzohuni nga historia jonë, forconi lidhjen me rrënjët tona dhe kthehuni me zemër edhe më krenare për përkatësinë tonë kombëtare.

Screenshot

Ju falënderojmë për besimin, mbështetjen dhe përkushtimin që i dhatë Ansamblit “TROJET” gjatë këtij sezoni.

Çdo sukses i ansamblit është fryt i punës sonë të përbashkët dhe i dashurisë që ndajmë për kulturën dhe kombin.

Pushoni, krijoni kujtime të bukura me familjet tuaja dhe kthehuni me energji të reja.

Mirë u kalofshi, rrugë të mbarë dhe mirë u kthefshi!

Mirë u pafshim më 21 gusht, në stërvitjen tonë të parë pas pushimeve verore, për të nisur së bashku një sezon të ri me përkushtim, miqësi, kulturë dhe suksese të reja.

Me respekt dhe përzemërsi,

Ansambli i Këngëve dhe Valleve “TROJET”
Winterthur, Zvicër

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB