
Nga PhD. Dashnim HEBIBI
ALBRADIO – zëri shqip që bashkon mërgatën, ruan identitetin dhe e sjell atdheun më pranë zemrave tona
Ka çaste kur një zë vlen sa një flamur i ngritur në lartësi, sa një faqe gazete që sfidon harresën dhe sa një këngë që ta kthen atdheun në zemër, edhe kur mijëra kilometra të ndajnë prej tij. Sot, në Zvicër, shqipja nuk dëgjohet vetëm në odat e mërgimtarëve, në tubimet kombëtare apo në festat e bashkatdhetarëve. Ajo po udhëton nëpër rrugë, po hyn në vetura, po shoqëron duart e arta të shqiptarëve në punëtori dhe po mbush shtëpitë tona me tingujt e vendlindjes. Një këngë e Adem Jasharit, një melodi për atdheun, një fjalë e ëmbël shqipe – dhe papritur, largësia zvogëlohet, malli merr zë, ndërsa zemra e mërgimtarit rreh më fort.
Ky është më shumë se një transmetim radiofonik. Ky është zëri i identitetit tonë, jehona e rrënjëve tona dhe dëshmia se një komb që e ruan gjuhën, nuk e humb kurrë rrugën drejt vetvetes.
Për brezat e parë të mërgimtarëve, një radio shqipe në Zvicër mund të dukej si një ëndërr e largët. Ata erdhën me valixhe në duar, me mall në shpirt dhe me shpresën për një jetë më të mirë. Sot, brezat e tyre kanë ndërtuar familje, biznese, shoqata, shkolla dhe media. Dhe tani, në këtë udhëtim të gjatë të mërgatës shqiptare, po jehojnë edhe valët e Albradios. Por një radio nuk ndërtohet vetëm për t’u dëgjuar. Ajo ndërtohet për të bashkuar, për të informuar, për të ruajtur kujtesën dhe për t’ua përcjellë brezave të ardhshëm zërin e gjuhës sonë. Prandaj, ky sukses nuk duhet të mbetet vetëm gëzimi i themeluesit të saj, por të shndërrohet në krenari dhe përgjegjësi të përbashkët.

Sepse është e lehtë ta urosh një sukses, por është atdhedashuri dhe vizion ta mbështesësh atë kur ka më së shumti nevojë.
Sot, Albradio meriton më shumë se duartrokitje. Meriton vëmendjen, bashkëpunimin dhe përkrahjen e mërgatës shqiptare. Dhe pikërisht për këtë zë, për këtë nismë dhe për njeriun që qëndron pas saj, dua të ndaj përshtypjet e një takimi që pata në redaksinë e Albradios, me themeluesin dhe drejtorin e saj, z. Premtim Sermaxhaj.
Radioja – një nga shtyllat e jetës së një shoqërie
Në historinë e njerëzimit, radioja ka pasur një rol të veçantë. Ajo ka informuar popuj, ka përcjellë ngjarje historike, ka ruajtur gjuhë e tradita, ka shoqëruar njerëzit në ditë të vështira dhe ka bashkuar njerëz që i ndanin largësitë. Radioja është më shumë se një pajisje që transmeton zë. Ajo është prani, komunikim dhe afërsi. Është shoqëruesja e njeriut gjatë punës, udhëtimit dhe pushimit. Është dritare përmes së cilës dëgjojmë botën, por edhe pasqyrë ku shohim veten. Për një komunitet që jeton larg vendlindjes, rëndësia e radios bëhet edhe më e madhe. Ajo e afron atdheun te mërgimtari dhe mërgimtarin me atdheun. Një lajm në gjuhën shqipe, një këngë që na kujton fëmijërinë, një bisedë për historinë, një intervistë me një personalitet shqiptar apo një emision për shkollën shqipe mund të krijojnë atë ndjenjë përkatësie që asnjë largësi gjeografike nuk mund ta shuajë lehtë. Kur gjuha jonë dëgjohet çdo ditë, ajo jeton. Kur historia jonë rrëfehet, ajo përcillet. Kur zëri ynë ka hapësirë, identiteti ynë fiton një tjetër mundësi për të mbijetuar dhe për t’u zhvilluar. Prandaj, një radio shqipe në Zvicër nuk është vetëm një ndërmarrje mediatike. Ajo mund të bëhet një hapësirë e rëndësishme për informim, edukim, kulturë, debat shoqëror dhe bashkëpunim kombëtar.
Albradio – një emër që na afron me rrënjët
Mërgata shqiptare në Zvicër ka kaluar nëpër shumë etapa. Gjeneratat e para erdhën me mallin për vendlindjen, me vështirësitë e fillimit dhe me shpresën për një jetë më të mirë. Shumë prej tyre ndoshta as që e kishin imagjinuar se një ditë do të kishim një hapësirë të tillë mediatike në gjuhën shqipe, se do të dëgjonim muzikën tonë në rrugët e këtij vendi mik dhe se zëri shqip do të mund të shoqëronte bashkatdhetarët edhe në vendet e tyre të punës. Sot, mërgata jonë ka ndërtuar familje, biznese, shoqata, shkolla plotësuese shqipe, media online dhe struktura të ndryshme kulturore e profesionale. Dikur kishim edhe gazetat tona të shtypura, të cilat bartnin fjalën shqipe nëpër shtëpitë e bashkatdhetarëve. Sot, krahas formave të tjera të komunikimit, kemi edhe një radio që synon ta zgjerojë praninë e gjuhës sonë në jetën e përditshme. Kjo është arsye për t’u gëzuar! Albradio nuk duhet parë vetëm si një emër në mesin e shumë emrave, por si një mundësi për ta bërë zërin shqiptar më të dëgjueshëm, më të organizuar dhe më të pranishëm në shoqërinë ku jetojmë. Emri i saj na kujton lidhjen me vendin e origjinës, me gjuhën tonë dhe me një identitet që nuk njeh kufij. Nëse e mbushim këtë hapësirë me përmbajtje cilësore, me muzikë të mirë, me informim të përgjegjshëm dhe me zëra të njerëzve tanë, Albradio mund të bëhet një pikëtakim i rëndësishëm për shqiptarët në Zvicër.

Në redaksinë e Albradios – tri orë bisedë, një kafe dhe shumë dashuri për fjalën shqipe
Sot pata nderin ta vizitoj redaksinë e Albradios dhe ta takoj themeluesin e saj, z. Premtim Sermaxhaj, një veprimtar të njohur, të cilin e njoh prej më shumë se njëzet vjetësh. Shkova jo vetëm si mik, por edhe në cilësinë e presidentit të Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore, me qendër në Zvicër.Bashkëbiseduam për rreth tri orë. Një gotë ujë, një kafe, mikpritja e ngrohtë, bisedat për median, kulturën, mërgatën dhe të ardhmen e saj krijuan një atmosferë që të kujton shtëpinë dhe mikpritjen shqiptare. Ndërkohë, në sfond dëgjoheshin këngë të bukura shqipe, të cilat nga ajo redaksi udhëtonin përmes valëve të radios drejt veturave, punëtorive dhe shtëpive të bashkatdhetarëve tanë. Në ato çaste e kupton edhe më mirë domethënien e një mediumi të tillë. Pas çdo kënge që dëgjohet, pas çdo emisioni që transmetohet dhe pas çdo zëri që mbërrin te dëgjuesi, qëndron puna e njerëzve që kanë vendosur ta marrin përsipër një përgjegjësi. Redaksia e Albradios është modeste, por simbolika e saj është domethënëse. Aty shihen flamuri ynë kombëtar shqiptar, flamuri i Republikës së Kosovës, ai i Zvicrës dhe ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Secili prej tyre përfaqëson një lidhje, një histori dhe një hapësirë të jetës sonë.
Në adresën Industriestrasse 9, 5432 Neuenhof, është ngritur një hapësirë që meriton të njihet nga publiku shqiptar.
Nuk është madhësia e zyrës ajo që përcakton madhështinë e një ideje. Shpesh, idetë që lënë gjurmë nisin në ambiente modeste, me pak njerëz, por me shumë besim dhe përkushtim. Kjo adresë mund të mbetet në kujtesën e mërgatës sonë si një pikënisje e rëndësishme e një kapitulli të ri të komunikimit shqip në Zvicër.
Nga Konica e Noli te zëri i ri i mërgatës shqiptare
Kur flasim për median shqiptare jashtë atdheut, nuk mund të mos kujtojmë përpjekjet e rilindësve tanë dhe të intelektualëve që e kuptuan se fjala e shkruar ishte një mjet i fuqishëm për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe vetëdijes kombëtare. Na vijnë ndër mend Faik Konica dhe Fan Noli, si dhe përpjekjet e patriotëve shqiptarë në Amerikë, Rumani, Turqi, Bullgari dhe vende të tjera, të cilët përmes gazetave, librave dhe veprimtarive kulturore e mbajtën gjallë frymën shqiptare larg vendlindjes. Kohët kanë ndryshuar, teknologjia ka përparuar, por nevoja për fjalën shqipe mbetet. Nëse dikur gazeta ishte një mjet i rëndësishëm për ta çuar fjalën te bashkatdhetarët, sot radioja mund ta bëjë këtë përmes zërit, muzikës dhe komunikimit të drejtpërdrejtë. Rilindësit tanë e bartën fjalën shqipe përmes gazetave dhe librave. Brezi ynë ka përgjegjësinë ta bartë atë përmes të gjitha mjeteve që na ofron koha. Prandaj, Albradio duhet parë edhe në këtë kontekst: si një mundësi për ta vazhduar, në rrethana të reja, traditën e përhapjes dhe ruajtjes së gjuhës sonë.
Premtim Sermaxhaj – njeriu që nuk dorëzohet përballë sfidave
Pas çdo nisme që synon të ndërtojë diçka të re, qëndron një njeri me një ide, një bindje dhe një përgjegjësi. Në rastin e Albradios, kjo nismë lidhet me z. Premtim Sermaxhaj, themelues dhe drejtor i saj. Gjatë bisedës sonë, u ndalëm te rruga e deritanishme e radios, te sfidat dhe te nevoja për mbështetje. Ai shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që e kanë ndihmuar dhe vazhdojnë ta ndihmojnë këtë projekt. Është e rëndësishme të theksohet se një radio nuk mbahet gjallë vetëm me entuziazmin e ditëve të para. Ajo kërkon punë të përditshme, profesionalizëm, përmbajtje cilësore, kohë, përkushtim dhe mbështetje të vazhdueshme. Gjatë bashkëbisedimit, Premtim Sermaxhaj i përmendi disa herë miqtë e tij, duke ndarë kujtime dhe fjalë që dëshmojnë rëndësinë e njerëzve të veçantë në rrugëtimin e jetës. Ndër fjalët që dua të veçoj janë ato për Bujar Bunjakun, i cili ka qenë shtylla ime kryesore dhe krahu im i djathtë në të gjitha sfidat që kemi kaluar së bashku. Unë dhe Bujari kemi qenë në të njëjtën varkë, duke përballuar dallgët e jetës, sfidat dhe vështirësitë. Ai nuk u dorëzua asnjëherë, por qëndroi përkrah meje, duke dëshmuar se çfarë do të thotë besnikëria dhe miqësia e vërtetë. Në jetë, nuk janë fjalët ato që e dëshmojnë madhështinë e një miku, por veprat e tij, sidomos në momentet kur gjithçka bëhet e vështirë. Bujari ishte një prej atyre njerëzve që nuk e braktisin rrugëtimin në mes të sfidave, por qëndrojnë dhe përballen së bashku me ty. Faleminderit, Bujar Bunjaku, për besimin, përkrahjen dhe qëndresën tënde! Njerëzit që ndajnë me ne jo vetëm gëzimet, por edhe barrën e vështirësive, meritojnë respekt dhe mirënjohje të përhershme. Sepse, në fund të ditës, nuk ka rëndësi vetëm sa larg kemi arritur, por edhe kush na qëndroi pranë gjatë rrugës. Me respekt dhe mirënjohje të sinqertë për Bujarin dhe të tjerët. Premtimi nuk dorëzohet. Dhe pikërisht këtu qëndron një mesazh që vlen për të gjithë ne: kur dikush merr përsipër të ndërtojë një hapësirë të dobishme për komunitetin, nuk duhet ta lëmë të përballet i vetëm me sfidat.

Nuk mjafton të themi: “Urime!”, “Suksese!” apo “Punë e mrekullueshme!”.
Këto fjalë janë të bukura dhe të nevojshme, por suksesi kërkon edhe veprime konkrete. Duhet të jemi dëgjues, bashkëpunëtorë, promovues dhe mbështetës. Duhet t’i orientojmë afaristët drejt mundësive të reklamimit, t’i ftojmë shoqatat të kontribuojnë me përmbajtje, t’i përfshijmë profesionistët dhe t’i japim radios mundësinë të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme. Një projekt nuk ndërtohet vetëm nga ai që e nis. Ai merr jetë të plotë kur komuniteti e njeh si të vetin dhe kontribuon në zhvillimin e tij.
Albradio – hapësirë për këngën, historinë, shkollën dhe kulturën shqiptare
E përfytyroni sa bukur do të ishte që në valët e Albradios të gjenin hapësirë jo vetëm këngët tona, por edhe zërat e njerëzve që punojnë çdo ditë për të mirën e komunitetit! Aty mund të dëgjohen historitë e mërgimtarëve që kanë ndërtuar biznese me punë e sakrifica, intervista me shkrimtarë, artistë, studiues, mësues dhe veprimtarë, emisione për historinë shqiptare, biseda me të rinjtë dhe programe që i afrojnë brezat me gjuhën e prindërve e të gjyshërve. Shoqatat kulturore mund ta prezantojnë veprimtarinë e tyre. Shkollat plotësuese shqipe mund të tregojnë për punën me fëmijët. Ansamblet folklorike mund të sjellin muzikën dhe vallet tona. Profesionistët mund të ndajnë përvojat e tyre, ndërsa të rinjtë mund ta gjejnë radion si një hapësirë ku zëri i tyre dëgjohet. Aty mund të flitet për Shqipërinë, Kosovën, Luginën e Preshevës, Maqedoninë e Veriut dhe të gjitha trevat shqiptare. Mund të kujtohen figurat tona kombëtare, sakrificat e brezave dhe arritjet e shqiptarëve kudo që jetojnë. Mbi të gjitha, Albradio mund të jetë një vend ku fjala shqipe bashkon, ku mendimet e ndryshme dëgjohen me respekt dhe ku kultura shërben si urë komunikimi. Kjo është një mundësi që meriton të shfrytëzohet.
Krenaria për sukseset tona duhet të shndërrohet në mbështetje
Shqiptarët në Zvicër kanë dëshmuar se dinë të punojnë, të ndërtojnë, të përparojnë dhe të arrijnë suksese në shumë fusha të jetës. Krenohemi me afaristët tanë, me profesionistët, me artistët, me sportistët, me studiuesit dhe me të gjithë ata që me punën e tyre e kanë fituar respektin e shoqërisë zvicerane. Zvicra është vendi mik që shumë prej nesh na ka ofruar mundësi, siguri dhe hapësirë për zhvillim. Për këtë arsye, duhet të jemi mirënjohës dhe të vazhdojmë të kontribuojmë në shoqërinë ku jetojmë, duke ruajtur njëkohësisht gjuhën dhe identitetin tonë. Por, krahas sukseseve individuale, kemi nevojë edhe për më shumë bashkëpunim kolektiv. Ndonjëherë duket sikur jemi më të shpejtë për t’i uruar njëri-tjetrit suksese sesa për t’i mbështetur ato me vepra. Gëzohemi për një nismë të re, shkruajmë disa fjalë të mira dhe pastaj vazhdojmë secili në rrugën e vet.
A nuk është koha që ta ndryshojmë këtë qasje?
Nëse duam media shqiptare të qëndrueshme, duhet të kontribuojmë në qëndrueshmërinë e tyre. Nëse duam kulturë shqiptare të organizuar, duhet të mbështesim institucionet dhe njerëzit që punojnë për të. Nëse duam që fëmijët tanë ta flasin dhe ta duan gjuhën shqipe, duhet t’u krijojmë hapësira ku ajo dëgjohet, mësohet dhe jetohet. Nuk është e nevojshme që të gjithë të kontribuojmë në të njëjtën mënyrë. Dikush mund të ndihmojë me reklamim, dikush me bashkëpunim profesional, dikush me emisione, dikush duke e promovuar radion dhe dikush thjesht duke e dëgjuar rregullisht e duke ua rekomanduar të tjerëve. Rëndësi ka që përkrahja të jetë e sinqertë dhe e vazhdueshme. Të jesh unik nuk do të thotë të mendojmë të gjithë njësoj. Do të thotë të dimë të bashkëpunojmë për gjërat që na bashkojnë.
Librat si urë miqësie dhe bashkëpunimi
Gjatë vizitës sime në redaksinë e Albradios, pata kënaqësinë t’i dhuroja z. Premtim Sermaxhaj disa nga librat e mi të botuar. Në mesin e tyre ishte edhe libri kushtuar dr. Dërgut Aliut, një atdhetari dhe profesionisti të dëshmuar, të cilin e përgatita me rastin e 30-vjetorit të spitalit të tij në Lindja, në Prishtinë, si dhe të 40-vjetorit në profesionin e tij. Z. Sermaxhaj e priti me kënaqësi këtë dhuratë, e cila për mua kishte domethënien e saj të veçantë. Librat janë kujtesë e shkruar, dëshmi e punës dhe trashëgimi për brezat që vijnë. Përmes tyre, ne ruajmë historitë e njerëzve, përvojat e tyre dhe vlerat që meritojnë të mos harrohen. Besoj se edhe media dhe libri duhet të ecin krah për krah. Radioja mund t’ua prezantojë dëgjuesve autorët dhe veprat e tyre, ndërsa librat mund të bëhen burim i vazhdueshëm temash për emisione kulturore e historike. Kështu ndërtohet një ekosistem kulturor: kur fjala e folur dhe fjala e shkruar e mbështesin njëra-tjetrën.
Instituti Shkencor Helvetik i Evropës Juglindore do të bashkëpunojë me Albradion
Si president i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore, me qendër në Zvicër, kam shprehur prej kohësh ose prej ditës së parë gatishmërinë për bashkëpunim me Albradion. Edhe në të ardhmen, synimi im është që këtë bashkëpunim ta zhvillojmë në fusha me interes të përbashkët, duke vënë në dispozicion përvojën, njohuritë dhe mundësitë tona për të promovuar shkencën, kulturën, librin, historinë dhe vlerat shqiptare. Mendoj se edhe institucionet, shoqatat, shkollat shqipe, afaristët atdhetarë dhe përfaqësuesit e komunitetit mund të gjejnë mënyra të përshtatshme për ta përkrahur këtë nismë. Mbështetja duhet të jetë transparente, e organizuar dhe e dobishme për zhvillimin afatgjatë të radios. Albradio ka nevojë për bashkëpunëtorë që sjellin ide, për profesionistë që kontribuojnë me përvojën e tyre dhe për partnerë që e kuptojnë rëndësinë e një mediumi shqip në jetën e mërgatës. Kjo nuk është çështje e një individi apo e një institucioni të vetëm. Është mundësi për bashkëpunim në shërbim të komunitetit.
Një radio që meriton të mbështetet, jo vetëm të duartrokitët
Kur sot e hapim radion dhe shohim emra të ndryshëm të mediave, gëzohemi që fjala shqipe ka hapësirë. Por kur hasim emrin Albradio, për ne që e shohim rëndësinë e gjuhës dhe identitetit, ky gëzim merr një domethënie të veçantë. Përfytyroni një bashkatdhetar që udhëton nëpër rrugët e Zvicrës dhe dëgjon një këngë të Adem Jasharit. Një tjetër që gjatë punës dëgjon një këngë kushtuar atdheut, Ismail Qemalit, Nënë Terezës apo Skënderbeut. Një prind që në shtëpi dëgjon shqipen dhe ia afron atë fëmijës së vet. Një i ri që, përmes një emisioni, zbulon një pjesë të historisë që nuk e ka njohur më parë. Këto janë çaste të vogla që mund të krijojnë lidhje të mëdha. Një radio nuk e zëvendëson shkollën, librin, familjen apo shoqatën. Por mund t’i plotësojë ato. Mund të ndihmojë që shqipja të jetë e pranishme jo vetëm në festa e tubime, por edhe në përditshmërinë tonë.

Pikërisht këtu qëndron vlera e saj.
Nuk duhet të presim që Albradio të bëhet e madhe për ta mbështetur. Shpesh, mbështetja e sotme është ajo që i krijon mundësinë një ideje të rritet nesër. Dhe nuk duhet të harrojmë: radioja ka nevojë për pavarësi editoriale, profesionalizëm, besueshmëri dhe respekt për dëgjuesin. Një medium fiton vlerë të qëndrueshme kur informon me përgjegjësi, u jep hapësirë zërave të ndryshëm dhe e trajton publikun me dinjitet. Këto janë vlera që e bëjnë një radio të dobishme për shoqërinë dhe të besueshme për brezat.
Zëri shqip duhet të jehojë edhe nesër
Kam edhe shumë për të thënë për Albradion, për Premtim Sermaxhajn dhe për rëndësinë e medias shqiptare në Zvicër. Por takimi ynë i sotëm ma përforcoi një bindje: kur ekziston vullneti për të ndërtuar diçka të dobishme, duhet të ekzistojë edhe vullneti kolektiv për ta mbështetur. Premtim Sermaxhaj është një personalitet që e njoh prej më shumë se dy dekadash. Sot, në redaksinë e tij, pashë një nismë që meriton të vlerësohet dhe të marrë përkrahjen e duhur. Nuk po flasim për një projekt që duhet të mbetet vetëm në duart e themeluesit të tij. Po flasim për një mundësi që mund t’i shërbejë një komuniteti të tërë. Prandaj, u bëj thirrje shoqatave shqiptare, shkollave plotësuese shqipe, institucioneve kulturore, afaristëve, profesionistëve, artistëve, studiuesve dhe të gjithë bashkatdhetarëve: njiheni Albradion, dëgjojeni, promovojeni dhe, sipas mundësive tuaja, përkrahni zhvillimin e saj. Le të mos mbetemi vetëm te fjalët e mira. Le t’i shndërrojmë ato në bashkëpunim, në ide dhe në vepra konkrete. Sepse kur mbështesim një medium shqip, mbështesim edhe gjuhën, kulturën, informimin dhe lidhjen mes brezave.
Albradio – le të jetë zëri i shqipes në rrugët e Zvicrës, në shtëpitë tona, në punëtori dhe në zemrat e bashkatdhetarëve!
Le të dëgjohen aty këngët e atdheut, historia jonë, fjala e lirë, zëri i intelektualëve, suksesi i mërgimtarëve dhe ëndrrat e brezave të rinj. Le të jetë një hapësirë ku flamujt tanë nuk janë vetëm simbole në mur, por kujtesë e përgjegjësisë sonë për ta ruajtur atë që na bashkon. Individë të suksesshëm kemi shumë. Tani duhet ta dëshmojmë edhe fuqinë e bashkëpunimit. Sepse një shqiponjë mund të ngrihet e vetme në qiell, por një komb bëhet më i fortë kur di të ecë së bashku drejt së ardhmes. Albradio, zëri i shqiponjës sonë në Zvicër: uroj që valët e saj të jehojnë gjatë, me dinjitet, profesionalizëm dhe dashuri për gjuhën shqipe!
P.S / PhD. Dashnim HEBIBI është President i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore, me qendër në Zvicër










