Më 5 shtator, në Xhaminë e Wil-it, do të zhvillohet një bashkëbisedim i hapur me mërgatën shqiptare në Zvicër
Mërgata shqiptare në Zvicër siç mëson helveticALforum.ch do të ketë mundësinë që më 5 shtator 2026 të zhvillojë një takim të drejtpërdrejtë me përfaqësues të institucioneve të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Takimi do të mbahet në hapësirat e Xhamisë së Wil-it, nga ora 18:00 deri në 21:00, dhe synon të krijojë një hapësirë të hapur për bashkëbisedim, shkëmbim mendimesh dhe diskutim mbi çështje me interes për mërgatën. Në këtë aktivitet pritet të marrin pjesë zëvendëskryeministri i parë i RMV-së dhe ministri për Çështje Evropiane, z. Bekim Sali, si dhe deputetja znj. Imerlije Saliu.

Pjesë e takimit do të jenë edhe z. Fehim Abazi, kryetar i Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër, dhe z. Rexhep Demiri, ambasador i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër. Organizatorët i kanë ftuar bashkatdhetarët që të marrin pjesë në këtë takim dhe të shfrytëzojnë mundësinë për të parashtruar pyetje, për të ndarë shqetësimet e tyre dhe për të diskutuar çështje që lidhen me marrëdhëniet mes mërgatës dhe institucioneve të vendit. Takimi pritet të jetë një mundësi e rëndësishme për forcimin e komunikimit dhe bashkëpunimit me komunitetin shqiptar në Zvicër.
5 shtator 2026 | 18:00–21:00 | Xhamia e Wil-it
Mirë se vini në një mbrëmje bashkëbisedimi me mërgatën!










