Dita e 93-të e manifestimeve anti-qeveritare përpara godinës së kryeministrisë është shoqëruar me një mobilizim dhe paralajmërim të fortë nga sheshi. Në një fjalim me tone të ashpra, një nga aktivistët e protestës i ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve për një protestë të madhe kombëtare më 7 shtator, me synimin e vetëm: rrëzimin e kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij.
Përmes një fjalimi të drejtpërdrejtë që u mirëprit me brohoritje nga të pranishmit, aktivisti nënvizoi se qëndresa ka arritur një moment kthese dhe se 7 shtatori duhet të shënojë bashkimin më të madh popullor të viteve të fundit. Ai i kërkoi veçanërisht diasporës shqiptare të bëhet pjesë aktive e këtij aksioni.
“Sot mbushim 93 ditë në shesh dhe nuk kemi ndërmend të bëjmë asnjë hap pas! Më 7 shtator është dita e 100-të e protestës sonë dhe do të ngrihet e gjithë Shqipëria në një protestë kombëtare”, u shpreh ai.
Sipas aktivistit, protesta e paralajmëruar e 7 shtatorit do të shoqërohet me një mobilizim të përgjithshëm dhe pjesëmarrje masive nga të gjitha rrethet e vendit përpara godinës së ekzekutivit. Organizatorët i kanë bërë një ftesë të hapur edhe emigrantëve shqiptarë nga diaspora që të udhëtojnë drejt Tiranës për t’u bërë pjesë e kësaj revolte qytetare, transmeton BW.










