Lucern/Kriens, Zvicër – Nën organizimin e Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare dhe Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qendrore, të shtunën u mbajt me sukses Takimi Ekonomik dhe Panairi B2B – Lucernë 2026, siç njofton helveticALForum.ch një nga ngjarjet më të rëndësishme të komunitetit ekonomik shqiptar në diasporë. Aktiviteti, i zhvilluar në Kriens pranë Lucernës, mblodhi dhjetëra sipërmarrës, investitorë, profesionistë dhe përfaqësues institucionesh nga Zvicra, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe vende të tjera ku vepron diaspora shqiptare. Pjesëmarrësit patën mundësinë të zhvillojnë takime B2B, të shkëmbejnë përvoja profesionale dhe të krijojnë kontakte të reja biznesore.

Një vend të veçantë në këtë ngjarje zuri panairi biznesor, ku kompani të shumta prezantuan produktet dhe shërbimet e tyre, duke promovuar potencialin ekonomik dhe sipërmarrës shqiptar në tregjet ndërkombëtare. Panairi shërbeu si një platformë efektive për krijimin e partneriteteve të reja dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet bizneseve shqiptare. Në këtë ngjarje morën pjesë edhe përfaqësues të lartë institucionalë, ndër ta ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, ambasadorët e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në Zvicër, shefi i Misionit Konsullor të Kosovës në Cyrih, filantropi i njohur Lazim Destani, si dhe personalitete të tjera të njohura nga fusha e biznesit, diplomacisë dhe jetës shoqërore shqiptare.

Gjatë fjalimeve të tyre, pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e rrjetëzimit të bizneseve shqiptare, fuqizimit të bashkëpunimit ekonomik dhe rolit të diasporës në zhvillimin ekonomik të vendeve shqiptare. U vlerësua se ngjarje të tilla krijojnë mundësi konkrete për investime, transferim të njohurive dhe ndërtimin e partneriteteve afatgjata. Aktiviteti u përmbyll me një darkë solemne, e cila ofroi një mundësi shtesë për njohje reciproke dhe forcim të lidhjeve profesionale mes pjesëmarrësve. Organizatorët e cilësuan Takimin Ekonomik dhe Panairin B2B – Lucernë 2026 si një sukses të madh dhe një hap të rëndësishëm drejt forcimit të rrjetit global të bizneseve shqiptare. Ngjarja u realizua nga Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare dhe dega e tij në Zvicrën Qendrore, nën drejtimin e kryetarit Visar Robelli, me synimin për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi ndërmjet sipërmarrësve shqiptarë kudo që ata veprojnë, transmeton helveticALForum.ch.




