
Nga Prof. Dr. Xhavit LIPAJ, Zvicër
Nuk është beteja ajo që e lartëson njeriun, por arsyeja pse ai vazhdon të luftojë. Kur koha i rëndon mbi supe, si një bibliotekë e mbushur me dështime, dhe vitet i numërojnë plagët, më saktë se fitoret, ai ndalet për një çast, jo për t’u dorëzuar, por për të dëgjuar zërin e ndërgjegjes së tij.
Se karakteri, nuk ndërtohet në ditët e lehta; ai farkëtohet, në heshtjen e sprovave, aty ku askush nuk sheh, dhe askush nuk duartroket.
Të ecësh përpara, kur rruga është e hapur, është zgjedhje. Të ecësh përpara, kur gjithçka brenda teje kërkon pushim, është virtyt.
Dhe virtyti, siç e dinin të urtët, nuk është dhuratë e fatit, por disiplinë e shpirtit.
Prandaj, kur jeta të shpallë të mundur,mos u ngut t’i besosh.
Se njeriu nuk përcaktohet, nga numri i herëve që bie, por nga aftësia, për t’u ngritur, mbi kufijtë e vetvetes. Edhe një raund tjetër, jo për lavdi.
Edhe një hap tjetër, jo për duartrokitje.
Edhe një përpjekje tjetër, jo për të mposhtur botën, por për të fituar mbi dobësinë brenda vetes.
Dhe në fund, kur vitet të mbyllin librin e jetës, fitorja më e madhe, nuk do të jetë ajo që të dhanë të tjerët, por ajo që i dëshmove vetes:
se nuk u dorëzove.
As kur ishte e vështirë. As kur ishte e padrejtë.
Dhe as kur askush nuk besonte më. Se madhështia e njeriut fillon pikërisht aty, ku ai zgjedh të thotë: Edhe një raund tjetër.
Vetëm kështu …
X. L
“Vazhdo. Edhe një raund tjetër. Kur mendon se nuk ke më forcë, aty fillon karakteri.”
Inspirimi për këtë shkrim, vjenë nga Rocky Balboa: nuk ka rëndësi sa fort godet, por sa goditje mund të përballosh dhe të vazhdosh përpara.




