Në Slloveni u zhvilluan me sukses promovimet e librit “Të Poshtëruar” (Pokončna) të filozofes dhe shkrimtares shqiptare Lea Ypi, botim që tërhoqi menjëherë vëmendjen e publikut slloven dhe u shndërrua në një bestseller të mirëpritur nga lexuesit.
I botuar nga shtëpia prestigjioze botuese Mladinska knjiga, me një traditë shumëvjeçare në botimet sllovene, libri sjell për lexuesin rrëfime të fuqishme dhe reflektime të thella mbi lirinë, historinë dhe dinjitetin njerëzor. Përmes këtij botimi, publiku slloven ka mundësinë të njohë nga afër botën intelektuale dhe letrare të Lea Ypit, një nga zërat më të spikatur të mendimit bashkëkohor në arenën ndërkombëtare.
Një nga ngjarjet kryesore u zhvillua në Cankarjev dom në Lubjanë, qendrën më të madhe të artit dhe kulturës në Slloveni, ku autorja u prit me interes të madh nga publiku. Bashkëbisedimi i organizuar me këtë rast solli diskutime mbi temat që trajton libri, si dhe mbi përvojat personale e historike që kanë frymëzuar krijimtarinë e autores. Me gjuhën e saj filozofike dhe analizat e mprehta, Lea Ypi ofroi një këndvështrim origjinal mbi të kaluarën dhe sfidat e kohës sonë.

Promovimi vijoi edhe në qytetin e Koperit, pranë Pallatit Pretorsk (Pretorska palača), ku pjesëmarrja e publikut ishte po ashtu e konsiderueshme. Interesi i lexuesve dhe diskutimet e zhvilluara gjatë takimit dëshmuan jehonën e gjerë që ka gjetur libri në Slloveni.
Gjatë muajit maj 2026, Lea Ypi zhvilloi gjithashtu një sërë intervistash në mediat sllovene, duke kontribuar në promovimin e mëtejshëm të veprës së saj dhe të kulturës shqiptare.
Me këtë rast, organizatorët shprehën mirënjohjen e tyre për shtëpinë botuese Mladinska knjiga, drejtoreshën Mateja Jesenek, kryeredaktoren Alenka Kepic Mohar, menaxheren e marrëdhënieve me publikun Maja Lihtenvalner dhe të gjithë stafin e botuesit për përkushtimin dhe promovimin e jashtëzakonshëm të librit.
Falënderime të veçanta iu drejtuan edhe Cankarjev dom, drejtorit të përgjithshëm Jure Novak dhe ekipit të institucionit, si dhe filozofit dhe aktivistit Srećko Horvat për moderimin e eventit.
Mirënjohje u shpreh gjithashtu për Departamentin e Antropologjisë dhe Studimeve Kulturore në Koper, të udhëhequr nga profesoresha Katja Hrobat Virloget, për kontributin në organizimin e aktiviteteve dhe promovimin e dialogut kulturor e akademik, transmeton Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Slloveni, përcjell helveticALForum.ch.




