POSTIMET E FUNDIT

Kusari-Lila në Cyrih:“Po kthehem në Kosovë krenare me suksesin e mërgatës sonë në Zvicër”

Nga Dahest LUMA, Zvicër

Cyrih, 13 qershor 2026 – Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit vlerësoi sukseset e mërgatës shqiptare në Zvicër dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejmë në interes të diasporës dhe brezave të rinj. Pas një serie takimesh të rëndësishme në Zvicër me autoritete zvicerane, përfaqësues të institucioneve dhe anëtarë të suksesshëm të diasporës shqiptare, Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit e Republikës së Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, e shoqëruar nga bashkëpunëtoret e saj, ka zhvilluar një takim edhe me Presidentin e Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore me seli në Cyrih, Ph.D. Dashnim Hebibi. Në këtë takim, ministrja Kusari-Lila ishte e shoqëruar nga shefi i Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha. Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, duke shërbyer si një mundësi e mirë për shkëmbimin e ideve dhe diskutimin e çështjeve që lidhen me diasporën shqiptare në Zvicër. Ph.D. Dashnim Hebibi, gazetar me më shumë se tri dekada përvojë në media dhe veprimtar i njohur në diasporë, e njoftoi ministren me veprimtarinë e Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore, projektet e tij akademike dhe kulturore, si dhe me angazhimet që synojnë forcimin e lidhjeve ndërmjet diasporës dhe trojeve shqiptare. Me këtë rast, ai i dhuroi ministres disa nga librat e tij të botuar ndër vite.

Gjatë bashkëbisedimit me znj. Kusari-Lila

Gjatë bisedës, Ph.D. Hebibi e falënderoi znj. Kusari-Lila për gatishmërinë e vazhdueshme që ka treguar ndër vite për të bashkëpunuar me mediat shqiptare në diasporë dhe për të dhënë intervista e prononcime sa herë që temat kanë qenë të lidhura me mërgatën shqiptare. Ai vlerësoi kontributin e saj në promovimin e rolit të diasporës në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Kosovës. Nga ana e saj, ministrja Kusari-Lila u shpreh e nderuar për mundësinë që gjatë qëndrimit të saj në Zvicër të takojë shumë bashkatdhetarë të suksesshëm, të cilët me punën dhe përkushtimin e tyre kanë ndërtuar histori suksesi në shtetin helvetik. Ajo theksoi se do të kthehet në Kosovë me ndjenja krenarie dhe optimizmi, duke parë nga afër arritjet e jashtëzakonshme të mërgatës sonë në Zvicër. Në takim u vlerësua gjithashtu puna e shefit të misionit konsullor të Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, për angazhimin e tij të vazhdueshëm në forcimin e bashkëpunimit me diasporën shqiptare. Ph.D. Hebibi theksoi se aktivitetet dhe përkushtimi i Konsullatës së Përgjithshme kanë ndikuar pozitivisht në afrimin e institucioneve të Kosovës me bashkatdhetarët në Zvicër. Bashkëbiseduesit u dakorduan për rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit edhe në të ardhmen, veçanërisht në projekte që lidhen me ruajtjen e identitetit kombëtar, edukimin dhe integrimin e gjeneratave të reja të shqiptarëve në diasporë.

Shefi i Misionit Konsullor të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, znj. Mimoza Kusari-Lila, z. Pal Deda dhe PhD. Dashnim Hebibi.

Takimi u zhvillua në ambientet e restorantit të njohur “Ristorante Da Paolo” në Schlieren të Cyrihut, në pronësi të afaristit të suksesshëm shqiptar Pal Deda, i njohur për kontributin e tij në biznes, veprimtarinë atdhetare dhe mbështetjen e vazhdueshme për iniciativa me karakter kombëtar dhe humanitar. Ky takim dëshmoi edhe një herë rolin e rëndësishëm që diaspora shqiptare luan në forcimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, si dhe nevojën për angazhim të përbashkët në funksion të zhvillimit, edukimit dhe perspektivës së brezave të ardhshëm. / HelveticALForum.ch

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB