POSTIMET E FUNDIT

KQZ përmbyll përgatitjet logjistike, mbi 1.6 milionë fletëvotime gati për zgjedhjet

Prishtinë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përfunduar përgatitjet kryesore logjistike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 7 qershor, duke bërë gati mbi 1.6 milionë fletëvotime për procesin zgjedhor në vend.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, njoftoi se fletëvotimet e shtypura në Slloveni tashmë janë vendosur në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, prej nga do të shpërndahen sipas planit operativ në qendrat komunale dhe më pas në vendvotime.

Sipas të dhënave të KQZ-së, për zgjedhjet e 7 qershorit janë shtypur gjithsej 1 milion e 778 mijë e 300 fletëvotime. Prej tyre, 1 milion e 605 mijë janë destinuar për votimin në vendvotimet e rregullta, 19 mijë e 450 për votimin me kusht, 13 mijë e 500 si rezervë dhe 3 mijë e 500 për votuesit me nevoja të veçanta.

Elezi theksoi se numri i fletëvotimeve është përcaktuar duke u bazuar në përvojat dhe statistikat e pjesëmarrjes në zgjedhjet e kaluara, duke mbetur më i ulët se numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote.

Shpërndarja e materialeve zgjedhore në Qendrat Komunale të Numërimit do të nisë të shtunën, ndërsa të dielën në mëngjes fletëvotimet do të dërgohen në të gjitha qendrat e votimit në vend.

Përveç procesit të votimit brenda Kosovës, KQZ ka përgatitur edhe materialet për votimin jashtë vendit. Janë shtypur 108 mijë fletëvotime për votimin me postë dhe 28 mijë e 850 për votimin në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.

Sipas KQZ-së, votimi në përfaqësitë diplomatike do të organizohet në 30 misione diplomatike në 18 shtete të ndryshme, ku janë regjistruar 27 mijë e 724 votues. Ndërkohë, për votimin me postë janë regjistruar 104 mijë e 488 qytetarë.

Në ditën e zgjedhjeve, procesi i votimit do të zhvillohet në 949 qendra votimi me gjithsej 2 mijë e 550 vendvotime. Numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në Kosovë arrin në 1 milion e 959 mijë e 962.

KQZ ka vlerësuar se të gjitha përgatitjet po ecin sipas planifikimit dhe ka shprehur gatishmërinë për të siguruar një proces zgjedhor të rregullt, transparent dhe në përputhje me standardet demokratike, transmeton rtk.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB