Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon procesi i numërimit të votave të diasporës, si dhe vlerësimi i pakove me fletëvotime të ardhura përmes postës.
Sipas njoftimit të KQZ-së, deri në orën 09:00 të së premtes janë numëruar 13 nga gjithsej 47 vendvotime të organizuara në përfaqësitë diplomatike të Kosovës. Numërimi ka nisur më 11 qershor dhe përfshin votat e hedhura më 6 qershor në 30 përfaqësi diplomatike në 18 shtete të ndryshme.
Nga 27.724 shtetas të regjistruar për votim në përfaqësitë diplomatike, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 22.860 qytetarë, që përbën 82.46 për qind të votuesve të regjistruar. KQZ ka sqaruar se rezultatet do të publikohen në mënyrë graduale në platformën zyrtare, pas përfundimit të numërimit për secilin vendvotim.
Paralelisht me këtë proces, në QNR po vazhdon edhe verifikimi i pakove me fletëvotime të ardhura përmes postës. Deri në fund të ditës së 11 qershorit janë shqyrtuar rreth 42 mijë pako, prej të cilave 40.414 janë aprovuar, ndërsa 1.447 janë refuzuar.
Sipas të dhënave zyrtare, arsyeja kryesore e refuzimit të pakove lidhet me mungesën e dëftesës së regjistrimit, dokument që u dërgohet votuesve të regjistruar nga komisioni zgjedhor. Vetëm për këtë arsye janë refuzuar 1.320 pako.
KQZ thekson se procesi i verifikimit, i cili ka nisur më 9 qershor, ka për qëllim të konfirmojë nëse pakot janë dërguar nga votues të regjistruar. Pas përfundimit të këtij procesi do të publikohet edhe numri përfundimtar i pakove me fletëvotime që do t’i nënshtrohen numërimit.
Ndërkaq, më 8 qershor është përmbyllur tërheqja e pakove me fletëvotime nga 23 kuti postare të KQZ-së, të vendosura në 22 shtete të ndryshme dhe në Kosovë. Nga këto kuti janë tërhequr mbi 85.700 pako të supozuara me fletëvotime nga votimi me postë.
Procesi i numërimit dhe verifikimit të votave të diasporës mbetet një nga fazat më të rëndësishme të administrimit zgjedhor, ndërsa KQZ-ja pritet të publikojë rezultatet përfundimtare pas përmbylljes së të gjitha procedurave ligjore dhe teknike, transmeton rtk.




