Lëvizja Vetëvendosje ka shënuar rritje në numrin e mandateve parlamentare, duke arritur në 50 ulëse në Kuvendin e Kosovës pas përditësimit më të fundit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Sipas të dhënave të publikuara, numërimi i mbi 72 për qind të votave të ardhura nga përfaqësitë diplomatike ka ndikuar në ndryshimin e projektimit të mandateve. Si rezultat, Vetëvendosje ka fituar një mandat shtesë, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës ka humbur një mandat, duke zbritur në 23 ulëse.
Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të mbetet me 19 mandate, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ruan 8 ulëse në Kuvend.
Sipas rezultateve të fundit të KQZ-së, Vetëvendosje ka grumbulluar 301,677 vota ose 43.67 për qind të votave të numëruara deri më tani. PDK ka marrë 144,743 vota apo 20.95 për qind, LDK 118,203 vota ose 17.11 për qind, ndërsa AAK 49,345 vota apo 7.14 për qind.
Procesi i numërimit të votave nga diaspora dhe përfaqësitë diplomatike ende nuk ka përfunduar, çka nënkupton se mund të ketë lëvizje të tjera në ndarjen e mandateve deri në certifikimin përfundimtar të rezultateve.
Votimi në përfaqësitë diplomatike u mbajt më 6 qershor në 30 misione diplomatike të Kosovës në 18 shtete të ndryshme. Nga 27,724 qytetarë të regjistruar për votim, pjesëmarrën 22,860 votues, duke shënuar një dalje prej 82.46 për qind.
Rezultatet përfundimtare pritet të qartësojnë ndikimin e plotë të votës së diasporës në përbërjen e legjislaturës së ardhshme të Kuvendit të Kosovës, transmeton rtk.




