Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, mori pjesë sot në ceremoninë shtetërore të organizuar në Prishtinë me rastin e 27-vjetorit të Çlirimit të Kosovës.
Në këtë aktivitet solemn, të pranishëm ishin edhe presidentja në detyrë Albulena Haxhiu dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, të cilët vlerësuan sakrificën e popullit për liri, luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbështetjen e aleatëve perëndimorë, duke e cilësuar 12 Qershorin si një nga datat më të rëndësishme në historinë e vendit.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Presidenti Begaj u shpreh “Është një nder i veçantë dhe një emocion i thellë për mua sot të jem mes jush në këtë tokë të lirisë për të kremtuar së bashku 27-vjetorin e Çlirimit të Kosovës. 12 Qershori është një datë e gdhendur përgjithmonë në memorien historike të kombit tonë. Kjo është dita kur triumfoi liria mbi aparteidin, shpresa mbi frikën dhe e drejta mbi padrejtësinë gjenocide.”
Ai vlerësoi sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbështetjen e aleatëve strategjikë.
“Liria e Kosovës erdhi si produkt i sakrificës sublime të mijëra burrave dhe grave, i luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe i vendosmërisë së aleatëve tanë strategjikë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s, aleatëve dhe partnerëve tanë, të cilët u rreshtuan në anën e duhur të historisë.”
Presidenti Begaj nderoi figurat historike të Kosovës, duke cilësuar se, “Sot, ne përulemi me mirënjohje të pakufishme përpara dëshmorëve të lirisë… Nderojmë kujtimin e Presidentit historik Ibrahim Rugova, kryetrimin Adem Jashari dhe familjen e tij, luftëtarët e lirisë, si dhe rezistencën e Adem Demaçit.”
Ai u ndal edhe tek proceset në Hagë, duke i cilësuar si padrejtësi historike.
“Në këtë ditë feste dhe reflektimi, mendja dhe zemra është edhe në Hagë, aty ku krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po përballen me një tjetër betejë… UÇK-ja nuk ishte agresori, por mburoja e një populli që po shfarosej. Besojmë fort se drejtësia do të triumfojë dhe ata do të kthehen fitimtarë në Kosovën e tyre të lirë!”
Më tej Begaj theksoi lidhjen e pazgjidhshme mes Shqipërisë dhe Kosovës, “Dua ta ritheksoj dhe ripërsëris sot nga Prishtina se Shqipëria dhe Kosova janë gjysma të të njëjtit trup. Shqipëria është dhe do të jetë mbështetja juaj e palëkundur, e pakushtëzuar dhe e përjetshme. Shqipëria është dhe do të jetë zëri i fuqishëm i Kosovës në çdo tryezë diplomatike dhe arenë ndërkombëtare.”
Në fund, Presidenti Begaj përcolli urimet e popullit shqiptar, “Kosova e sotme është dëshmi e gjallë se liria nuk falet. Ajo fitohet me qëndresë dhe mbrohet me dinjitet, unitet të brendshëm dhe punë të përditshme. Të dashur vëllezër dhe motra të Kosovës, në këtë ditë të madhe të krenarisë sonë kombëtare, ju përcjell urimet më të ngrohta të mbarë popullit shqiptar! Qoftë i përjetshëm dhe i pacenuar kujtimi i dëshmorëve! Lavdi përjetë! Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës, FSK-në dhe institucionet e saj! Zoti e bekoftë kombin shqiptar dhe miqtë e tij! Urime 27-vjetori i Çlirimit!”, transmeton rtsh.




