Kosova dhe Portugalia po shqyrtojnë mundësi të reja për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e investimeve dhe lehtësimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve. Në kuadër të këtyre përpjekjeve, është diskutuar edhe mundësia e krijimit të një linje të drejtpërdrejtë ajrore Kosovë–Portugali.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka zhvilluar dy takime të ndara me Sekretarin e Shtetit për Ekonominë e Portugalisë, João Rui Ferreira, dhe drejtuesen e Agjencisë Portugeze për Tregti dhe Investime, Ana Casaca. Takimet janë zhvilluar online, për shkak të stuhisë që ka përfshirë Lisbonën. Përmes një njoftimi në Facebook, Kusari-Lila ka bërë të ditur se në fokus të bisedimeve ka qenë zgjerimi i partneritetit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Portugalisë.
Ajo ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Portugalisë në proceset e integrimit evropian të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e tregtisë, investimeve, zhvillimit industrial dhe promovimit të eksporteve.
Vëmendje e veçantë u është kushtuar mundësive për bashkëpunim ndërmjet agjencive përkatëse të të dy vendeve, me synimin për të krijuar kushte më të favorshme për bizneset dhe për të nxitur investime të reja.
Ndër çështjet konkrete të diskutuara janë mundësia e arritjes së një marrëveshjeje bilaterale ekonomike, organizimi i një Forumi të Biznesit Kosovë–Portugali në Prishtinë, si dhe krijimi i një linje të drejtpërdrejtë ajrore ndërmjet dy shteteve.
Një lidhje e tillë ajrore do të mund të lehtësonte komunikimin, udhëtimet dhe kontaktet ndërmjet bizneseve, duke krijuar mundësi të reja për bashkëpunim ekonomik dhe turistik.
Ministrja Kusari-Lila ka bërë të ditur se takimet do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së nesërme, në kuadër të punimeve të Web Summit, me synimin që partneriteti politik dhe diplomatik ndërmjet Kosovës dhe Portugalisë të marrë një dimension edhe më të fuqishëm ekonomik.
Thellimi i këtyre marrëdhënieve shihet si një mundësi për hapjen e horizonteve të reja të bashkëpunimit, rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe afrimin e bizneseve të të dy vendeve, transmeton rtk.










