Kombëtarja shqiptare ka përfunduar përgatitjet për përballjen e rëndësishme ndaj Finlandës në Ligën e Kombeve. Trajneri Rolando Maran ka pasur në dispozicion të gjithë grupin prej 27 futbollistësh, ndërsa vëmendja në seancën e fundit është përqendruar te taktika dhe detajet që mund të vendosin fatin e ndeshjes. Kuqezinjtë kanë zhvilluar stërvitjen e fundit në stadiumin “Air Albania”, ku ekipi është paraqitur me grupin e plotë. Për herë të parë gjatë këtij grumbullimi, trajneri Maran ka mundur të punojë me të gjithë lojtarët e ftuar, pasi në stërvitje janë bashkuar edhe Kristjan Shpendi dhe Arbër Hoxha. Dy sulmuesit kishin ndjekur një program të veçantë rikuperimi për shkak të problemeve fizike, por tashmë janë rikthyer në dispozicion të stafit teknik dhe pritet të jenë gati për sfidën kundër Finlandës.
Në seancën e fundit, Maran dhe bashkëpunëtorët e tij kanë zhvilluar një program të plotë stërvitor, me theks të veçantë te organizimi taktik dhe simulimi i situatave të ndryshme të lojës.
Një rëndësi e veçantë u është kushtuar edhe goditjeve standarde, të cilat kanë rezultuar vendimtare në disa prej ndeshjeve të këtij edicioni të Ligës së Kombeve. Përmes këtyre ushtrimeve, stafi teknik synon të përmirësojë efikasitetin e skuadrës në momentet që mund të bëjnë diferencën në fushën e lojës. Stërvitja e fundit i ka shërbyer gjithashtu trajnerit italian për të vlerësuar gjendjen fizike dhe formën aktuale të futbollistëve, si dhe për të përcaktuar më qartë idetë për formacionin titullar. Megjithatë, emrat e lojtarëve që do ta nisin ndeshjen nga minuta e parë mbeten ende të panjohur. Sikurse ndodh zakonisht, Maran pritet t’i bëjë publike zgjedhjet e tij përfundimtare vetëm pak para fillimit të përballjes. Shqipëria synon të paraqitet sa më mirë në këtë sfidë, me objektivin për të dhënë një tjetër përgjigje pozitive në Ligën e Kombeve dhe për të kënaqur tifozët kuqezi, transmeton abcnewsal.










