Qyteti i Cyrihut ka prezantuar një platformë të re digjitale për shkollat fillore, e cila synon t’i pajisë fëmijët dhe të rinjtë me njohuri mbi inteligjencën artificiale (IA), mundësitë që ajo ofron, por edhe rreziqet që mund të paraqesë në jetën e përditshme. Platforma është falas dhe përdorimi i saj nga shkollat është vullnetar.
Nisma e re u prezantua të mërkurën në një konferencë për media nga përfaqësuesi i Bashkisë së Cyrihut, Balthasar Glättli, nga Partia e të Gjelbërve, ndërsa synon të ndihmojë nxënësit që të përballen me zhvillimet e shpejta teknologjike dhe ndikimin gjithnjë e më të madh të inteligjencës artificiale në shoqëri, shkruan Watson. Platforma përmban harta të njohurive, video të realizuara nga vetë nxënësit, ushtrime praktike dhe materiale të ndryshme frymëzuese. Përmes këtyre përmbajtjeve, fëmijët do të kenë mundësi të njihen më mirë me mënyrën se si funksionon inteligjenca artificiale dhe si mund të ndikojë ajo në mësim, komunikim dhe jetën e përditshme. Një rëndësi e veçantë i kushtohet zhvillimit të mendimit të pavarur dhe aftësisë për të analizuar në mënyrë kritike informacionet që prodhohen nga sistemet e inteligjencës artificiale. Për këtë arsye, platforma nuk përmban udhëzime teknike apo rekomandime për aplikacione të caktuara. Qëllimi është që nxënësit të mos bëhen thjesht përdorues të teknologjisë, por të mësojnë të dallojnë informacionin e saktë nga ai i pasaktë dhe të mos pranojnë automatikisht çdo përgjigje të gjeneruar nga IA-ja. Ndërkohë, shkollat do të vazhdojnë të kenë përgjegjësinë për të përcaktuar rregullat e përdorimit të inteligjencës artificiale gjatë provimeve dhe realizimit të detyrave të shtëpisë.
Testimi do të bëhet nëpër shkolla
Bordi shkollor i Cyrihut tashmë ka nisur testimin e përmbajtjes së platformës përmes punëtorive të organizuara me klasat shkollore. Kjo do të mundësojë vlerësimin e materialeve dhe përshtatjen e tyre me nevojat e nxënësve. Me këtë projekt, Qyteti i Cyrihut po i përgjigjet edhe një kërkese të paraqitur në Këshillin e Qytetit në vitin 2023, lidhur me trajtimin dhe integrimin e inteligjencës artificiale në sistemin arsimor. Nisma konsiderohet një hap drejt edukimit digjital të gjeneratave të reja, në një kohë kur inteligjenca artificiale po bëhet pjesë gjithnjë e më e rëndësishme e jetës së përditshme. Mesazhi kryesor është se teknologjia duhet të shërbejë si mjet për të mësuar dhe zhvilluar aftësitë njerëzore, e jo të zëvendësojë mendimin e pavarur të fëmijëve./Bsot










