Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një vizitë zyrtare në Budapest, ku u prit nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Hungarisë, Anita Orbán. Në fokus të takimit ishin integrimi evropian i Shqipërisë, bashkëpunimi ekonomik, siguria rajonale dhe energjetike. Shqipëria dhe Hungaria synojnë të thellojnë më tej marrëdhëniet dypalëshe, duke i dhënë një dimension më të madh bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe njerëzor. Këto çështje ishin në qendër të takimit në Budapest ndërmjet ministrit shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, dhe homologes së tij hungareze, Anita Orbán. Gjatë takimit, Hoxha vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Hungarisë për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, si dhe rolin e saj në mbështetjen e perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor, përfshirë angazhimin përmes Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor.
Ministri shqiptar theksoi se Shqipëria ka hyrë në një fazë vendimtare të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa ritheksoi objektivin për të përfunduar pjesën teknike të negociatave deri në fund të vitit 2027. Sipas Hoxhës, ky objektiv kërkon vazhdimin e reformave, përmbushjen e detyrimeve dhe angazhimin e institucioneve shqiptare për të ecur përpara në procesin e integrimit.
Bashkëpunimi ekonomik në qendër të agjendës
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe forcimit të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet dy vendeve. Hoxha theksoi se, krahas marrëdhënieve të mira politike, është e rëndësishme që bashkëpunimi të përkthehet në më shumë tregti, investime dhe projekte konkrete. Në këtë drejtim u diskutua për mundësitë e zgjerimit të investimeve hungareze në Shqipëri, forcimin e lidhjeve energjetike, zhvillimin e turizmit dhe thellimin e bashkëpunimit në arsim e kulturë. Ministri Hoxha vlerësoi se bizneset hungareze kanë tashmë një prani të rëndësishme në tregun shqiptar, por potenciali për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mbetet i konsiderueshëm.
Siguria rajonale dhe energjetike
Në takimin në Budapest u shkëmbyen gjithashtu pikëpamje për zhvillimet e sigurisë në Evropë dhe Ballkanin Perëndimor. Në diskutime u përfshinë siguria energjetike dhe rëndësia e ruajtjes së unitetit të Aleancës së NATO-s, në një periudhë të karakterizuar nga sfida të shumta gjeopolitike.
Vizita e ministrit Ferit Hoxha në Hungari vjen në kuadër të përpjekjeve të Shqipërisë për të konsoliduar mbështetjen ndërkombëtare për integrimin evropian dhe për të zgjeruar partneritetet me vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Përtej dimensionit diplomatik, takimi synon të krijojë më shumë mundësi bashkëpunimi që sjellin përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset e të dyja vendeve, transmeton rtsh.










