POSTIMET E FUNDIT

Kosova anëtarësohet në Bordin e Paqes me mbështetje unanime të Kuvendit

Me 103 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës kanë miratuar Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes për anëtarësimin e vendit në Bordin e Paqes, duke shënuar një moment të rëndësishëm për forcimin e rolit ndërkombëtar të Kosovës.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pasi konstatoi rezultatin e votimit, theksoi unitetin e rrallë politik, duke shtuar me një dozë ironie se një konsensus i tillë do të mund të shfrytëzohej edhe për zgjedhjen e presidentit të vendit.

“Me mujtë me zgjedhë edhe presidentin, pas këtij votimi me 103 vota, me shfrytëzuar rastin me këtë unitet të jashtëzakonshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, deklaroi Haxhiu.

Para votimit, përfaqësues nga të gjitha partitë parlamentare vlerësuan rëndësinë e këtij anëtarësimi, duke e cilësuar si një hap strategjik për rritjen e ndikimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Në emër të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni theksoi se Bordi i Paqes ka për qëllim promovimin e stabilitetit dhe garantimin e paqes së qëndrueshme në zonat e prekura nga konfliktet. Sipas saj, anëtarësimi i Kosovës zgjeron rrjetin e organizatave ndërkombëtare ku vendi është pjesë.

Nga radhët e PDK-së, Elmi Reçica e cilësoi këtë hap si interes të lartë shtetëror, duke theksuar se ai forcon sigurinë kombëtare dhe orientimin euroatlantik të Kosovës, si dhe konsolidon aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërkohë, Anton Quni nga LDK-ja nënvizoi se Bordi i Paqes nuk është thjesht një forum diskutimi, por një mekanizëm global që ndikon drejtpërdrejt në menaxhimin e konflikteve dhe promovimin e bashkëjetesës. Ai shtoi se Kosova, përmes këtij anëtarësimi, kalon nga një përfituese e paqes në një kontribuese aktive në skenën ndërkombëtare.

“Ne po shndërrohemi në eksportues të stabilitetit. Kemi çfarë t’i japim botës: përvojën tonë të shtetndërtimit dhe frymën e tolerancës,” deklaroi Quni.

Edhe Time Kadrijaj e vlerësoi këtë zhvillim si dëshmi të përkushtimit të Kosovës për siguri dhe diplomaci, duke shtuar se vetë ftesa për anëtarësim përbën një garanci për pozitën ndërkombëtare të vendit.

Anëtarësimi në Bordin e Paqes shihet si një hap i rëndësishëm drejt konsolidimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe rritjes së kredibilitetit të saj në skenën globale, transmeton rtk.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB