POSTIMET E FUNDIT

Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, merr pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandës së USAREUR-AF

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, mori pjesë në ceremoninë zyrtare të ndërrimit të komandës së Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara për Evropë dhe Afrikë (USAREUR-AF), e organizuar me ftesë të Komandantit Suprem të Forcave Aleate në Evropë (SACEUR) dhe njëherësh Komandant i Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara (EUCOM), gjeneralit Alexus G. Grynkewich. Ceremonia shënoi dorëzimin e detyrës nga gjenerali Christopher T. Donahue, duke përfaqësuar një moment të rëndësishëm në udhëheqjen e një prej komandave më strategjike të ushtrisë amerikane në Evropë dhe Afrikë.

Me këtë rast, gjenerallejtënanti Bashkim Jashari shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin e tij për kontributin e gjeneralit Donahue gjatë mandatit të tij, duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme që ai i ka dhënë Forcës së Sigurisë së Kosovës në zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe operacionale, si dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet FSK-së dhe ushtrisë amerikane. Nga ana e tij, gjenerali Christopher T. Donahue falënderoi komandantin Jashari për pjesëmarrjen në ceremoni dhe për bashkëpunimin e ngushtë që është zhvilluar gjatë periudhës së drejtimit të tij. Ai vlerësoi zgjerimin e aktiviteteve të përbashkëta ndërmjet dy forcave, duke veçuar trajnimet dhe ushtrimet e përbashkëta, të cilat kanë kontribuar në rritjen e ndërveprueshmërisë, profesionalizmit dhe partneritetit strategjik mes FSK-së dhe ushtrisë së Shteteve të Bashkuara.

Në kuadër të vizitës, komandanti i FSK-së zhvilloi takime edhe me homologë nga vendet partnere të NATO-s, si dhe me zëvendëskomandantin dhe ushtruesin e detyrës së komandantit të USAREUR-AF, gjeneralmajor Christopher Norrie. Gjatë këtyre takimeve u diskutua për bashkëpunimin aktual dhe mundësitë për zgjerimin e mëtejshëm të aktiviteteve të përbashkëta në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Në përfundim të ceremonisë, u rikonfirmua përkushtimi i ndërsjellë për thellimin e partneritetit strategjik ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe USAREUR-AF, me synim avancimin e kapaciteteve mbrojtëse të FSK-së, forcimin e sigurisë rajonale dhe ruajtjen e paqes e stabilitetit në Kosovë dhe në rajon. Pjesëmarrja e komandantit Bashkim Jashari në këtë ceremoni dëshmon edhe një herë marrëdhëniet e ngushta dhe partneritetin e fuqishëm ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën e mbrojtjes, si dhe angazhimin e përbashkët për zhvillimin e një force moderne, profesionale dhe të ndërveprueshme me partnerët ndërkombëtarë, transmeton rtk.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB