Në Samitin e Diasporës, gjatë Panelit V me temën *“Diaspora mbarëshqiptare: A po bëjmë çfarë duhet bashkarisht?”*, u zhvillua një debat i gjerë mbi nevojën e koordinimit institucional dhe qasjes së përbashkët për avancimin e interesave të diasporës shqiptare.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, në fjalën e tij theksoi se diaspora shqiptare është një e vetme, pavarësisht kufijve shtetërorë, dhe se duhet një strategji e përbashkët për ta përfaqësuar dhe përfshirë në vendimmarrje.
Ai u shpreh se Shqipëria është duke ndërtuar strategjinë e re për periudhën 2026–2030, e cila do të diskutohet edhe me Kosovën dhe vendet e tjera të rajonit.
“Diaspora jonë nuk është e ndarë. Në Bruksel, Londër, SHBA apo Australi, ata kanë gjuhën, identitetin dhe interesat e përbashkëta. Nëse nuk kemi një qasje të përbashkët, nuk do të kemi veprim të përbashkët,” tha Hoxha, duke nënvizuar se koordinimi mes institucioneve dhe përfaqësive diplomatike është alfa e një ndërveprimi të suksesshëm.
Ai shtoi se elementet e përbashkëta si gjuha, identiteti dhe kultura duhet të jenë në qendër të politikave, ndërsa investimet, inovacioni dhe talentet duhet të harmonizohen në mënyrë që të përfitojnë të gjitha vendet shqiptare pa konkurrencë mes tyre.
“Duhet të kemi një ndërveprim kulturor sa më të harmonizuar, sepse kemi pothuajse gjithçka të përbashkët dhe s’kemi absolutisht asgjë të ndarë” u shpreh ministri.
Në fund, Hoxha pranoi se qasja aktuale në Shqipëri është ende e fragmentizuar, me ministri, agjenci dhe qendra të ndryshme që merren me diasporën, por theksoi se është koha për të avancuar drejt një koordinimi të qartë dhe të përbashkët.
“Vetëm duke u bashkërenduar sa më mirë me njëri-tjetrin mund të arrijmë rezultate me ndikim për diasporën tonë dhe për vendet tona,” përfundoi ai, transmeton rtsh.




