Në Samitin e Diasporës, gjatë panelit “Diaspora mbarëshqiptare: A po bëjmë çfarë duhet bashkarisht?”, deputeti shqiptar në Parlamentin e Suedisë, Arbër Gashi, theksoi se është koha që angazhimi i diasporës të mos mbetet vetëm në deklarata, por të shndërrohet në veprime të prekshme.
Ai vuri në dukje se për herë të parë shqiptarët në Suedi kanë mundësinë të ndikojnë drejtpërdrejt në politikën e vendit, duke sjellë rezultate konkrete për forcimin e marrëdhënieve mes Suedisë, Shqipërisë dhe Kosovës.
Në fjalën e tij, Gashi apeloi që diaspora shqiptare të marrë pjesë aktive në jetën politike të vendeve ku jeton, duke u bërë pjesë e partive dhe administratës lokale.
“Është e rëndësishme që shqiptarët të angazhohen më shumë në politikën e vendeve ku jetojnë dhe të jenë ambasadorë të kulturës dhe interesave të shqiptarëve. Në Suedi, për fat të mirë, nuk jam vetëm. Ne kemi dy deputetë shqiptarë në parlamentin suedez, dhe gjithashtu shqiptarët janë të përfaqësuar në nivele të larta në politikën lokale dhe komunale,” u shpreh Gashi, transmeton rtsh.




