Kinematografia kosovare po shënon një tjetër moment të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare. Filmi me metrazh të gjatë “Dua”, me skenar dhe regji nga Blerta Basholli, është përzgjedhur për premierë botërore në seksionin prestigjioz “Semaine de la Critique”, në kuadër të Festivalit të Filmit në Kanë.
Lajmi është bërë publik nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ai e cilësoi këtë arritje si historike për vendin. Sipas tij, kjo është hera e parë që një film nga Kosova përfshihet në këtë seksion të rëndësishëm dhe konkurrues të festivalit më të njohur të filmit në botë.
Kurti vlerësoi lart punën e regjisores Basholli, e cila tashmë ka dëshmuar talentin e saj me filmin “Zgjoi”, një produksion që ka fituar dhjetëra çmime ndërkombëtare dhe ka sjellë vëmendje globale për historitë dhe realitetin kosovar.
Filmi “Dua” pritet të garojë për katër çmime kryesore në “Semaine de la Critique”, duke u përballur me produksione nga vende të ndryshme të botës. Ky seksion njihet për promovimin e autorëve të rinj dhe zërave unikë në kinematografi, duke e bërë përzgjedhjen edhe më domethënëse.
Realizimi i këtij filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, si dhe nga institucione të rëndësishme ndërkombëtare si Centre National du Cinéma et de l’Image Animée (CNC), Office Fédéral de la Culture, ARTE Cinema, Eurimages, SRF – Schweizer Radio und Fernsehen dhe Cineforom.
Pjesëmarrja e “Dua” në Festivalin e Kanës shihet si një hap i madh përpara për industrinë e filmit në Kosovë dhe një dëshmi e potencialit krijues që vendi vazhdon të ofrojë. Ky sukses jo vetëm që forcon pozitën e Kosovës në hartën kulturore ndërkombëtare, por gjithashtu frymëzon gjeneratat e reja të kineastëve për të ndjekur ëndrrat e tyre, transmeton rtk.




