POSTIMET E FUNDIT

HIPOKRIZIA DHE DENIGRIMI – Angela Kosta

Kisha kohë e vite që isha shkëputur nga Shqipëria (letrare). Kjo jo për faktin e emigrimit por për arësye familjare dhe shëndetësore. Ishte pikërisht kjo e fundit (hallka) që më shtyu, nxiti dhe “vendosi” përfundimisht në zinxhirin e pafund të letërsisë së pafund, të rrugëtimit dhe autorëve të pafund. Në një farë mënyre pa e “braktisur”, Italinë (jetoj prej tri dekadash), iu riktheva vendit tim. Rreth viteve 2005 – 2006

bleva disa libra në Elbasan dhe fillova t’i shfletoj. Mbeta e “mahnitur” nga kopertina, faqosja, dizajni. Por mahnitja u kthye në zhgënjim total. Sapo fillova të lexoj prologun, filluan të më dhimbnin sytë dhe koka. Gabime drejtshkrimore të shumta. E shfletova tek – tuk, po ashtu… e njëjta gjë. Gjeta numurin e telefonit të shtëpisë botuese në Tiranë dhe telefonova. Atëherë ishte me pagesë dhe nuk ishte numur celulari – WhatsApp). M’u përgjigj një vajzë e re. I thashë se kisha në dorë librin e botuar prej tyre dhe se kishte shumë shumë gabime. E irrituar ajo m’u përgjigj se isha hipokrite që mora guximin të telefonoja dhe t’u vija në dukje një gjë të tillë. Ma mbylli telefonin dhe siç ndodh shpesh tashmë nëpër platformat sociale, më bllokoi. Si duket hoqi spinën e linjës telefonike. Ky ishte, është dhe do të mbetet fryti i përplasjes së dialogut: shfuqizimi i fuqizimit të së vërtetëtës ndaj hipokrizisë parandaluese.

Sa herë shkoja në Shqipëri, shihja libra e libra pafund nga autorë të rinj.

Rrallëherë më binin në dorë libra nga autorët “e djeshëm”, të cilët nuk i lexoja por i “gëlltisja”. Ishin dhe janë libra që të mbesin në mendje. “THIKAT” – Neshat Tozaj, REKUIEM Diana Çuli, PALLATI I ËNDRRAVE – Ismail Kadare, PUSHIMET E KOLONELIT ROMAN – Teodor Laço, libër me poezi i Fatos Arapit dhe Natasha Lakos, ishin librat “e fundit” që kam lexuar nga fillimi i kthesës së madhe drejt demokracisë.

Një hipokrizi tjetër elegante, ndërtuar në kështjella rëre mbi bazat e asaj ç’ka kishim pësuar, humbur dhe shpresuar.

Pikërisht aty qëndron dhe “ushqehet” me majmëri sot Hipokrizia Elegante, Moderne (jo) letrare.

Hipokrizia lëvron në hollet dhe sallat e promovimeve, kafeneve luksoze, promovimeve pa kriter, nxitjes pa nxitje apo ambicje. Askujt NUK i intereson përmbajtja e librit, leksiku i gjuhës perfekte shqipe, “rregullorja” e botimit të një libri.

Madje as vetë autorëve nuk u bie mendja nëse libri i përfaqëson denjësisht apo jo.

E rëndësishme është: sa njerëz ishin në promovim? Sa lëvdata? Sa duartrokitje?

Promovime e libra tejet të (pa) konsiderueshme për një vend kaq i vogël sa i yni, po bëhen mediokre, pa parime.

Pothuajse të gjitha shtëpitë botuese janë kthyer në monopol vetiak. Biznesi tahmaqar e lakmues u ka errur sytë të shohin çfarë u bie në dorë. Botuesit as nuk e marrin mundimin të lexojnë ajo çka u dërgohet për t’u botuar. U mjafton veç të mbushin xhepat. Po a ekzistojnë shtëpitë botuese në Shqipëri? Shumëzohen të gjitha me zero (0), – përveç Onufrit. Janë thjesht shtypshkronja, asgjë tjetër. Përveçse kopjeve në dorë (çdo ekzemplar kundrejt një vlefte leku me çmim shumë të shtrenjtë), autorit nuk i ofrohet asnjë ndihmë tjetër që të njihet dhe lexohet, të promovohet; t’i shpërndahet vepra nëpër librari apo biblioteka, pse jo të ketë bashkëpunime me shtëpi botuese jashtë vendit. Thjesht: ngjit – kopjo – boto.

Kjo po dëmton edhe autorët e djeshëm, pse jo edhe autorë të rinj, të sotëm, plot vlera premtuese letrare, pasi po përzihen të gjithë në llumin e bojës së zezë që po nxin faqet e letërsisë shqipe, në printimet pambarim.

Ka autore/ë që vetëshpallen analizues/e, ndërkohë që nuk kanë parë librat e tyre të botuar, përplot gabime katastrofike.

Një tjetër hipokrizi – zhgënjim është refreni i vrullshëm i shumë autorëve që as nuk e kanë idenë ç’do të thotë prezantimi i librit nëpër panaire (ndoshta nuk kanë lexuar kurrë ndonjë libër, ndoshta as të vetin), për të arritur në kozmosin e morisë së librave.

I qepet ndonjë miku – kritiku, dhe çdo gjë është në masën dhe kohën e duhur, për vazhdimësinë e injorimit të injorancës letrare.

Brenda vitit i njëjti autor boton 30 libra, i promovon, rreh gjoksin e çalltis të bëhet dikushi i askushëve.

Kohët e fundit po ndeshemi me autore që vetëpërkthehen (nga GPT), në gjuhë të huaja dhe vetëbotohen në platformat e huaja,

pra libra të përkthyer pa emrin e përkthyesit.

Kjo e dëmton akoma edhe më shumë seriozitetin e letërsisë shqipe dhe po e zhyt e fundos atë në denigrim të plotë.

Hipokrizia po triumfon, sepse:

1. Nuk kemi ministri kulture.

2. Nuk kemi kritikë letrarë.

3. Nuk kemi shtëpi botuese.

4. Nuk “fshikullohet” plagjiatura sepse nuk zbatohet neni i ligjit të së drejtës së autorit

5. Nuk kemi bashkëpunime midis Shoqatave Rajonale të Lidhjes së Shkrimtarëve, madje tani për tani as Qëndroren (LSHASH), duke shpresuar dhe pritur në një ndryshim total.

Në Shqipëri përkrahen autorët e dobët dhe sulmohen të fortët – të mirët.

Gjatë promovimeve, nuk flitet fare për veprën, “nuk mbikqyret”, nuk analizohet, nuk detajohet, thjesht vendoset në fron mbreti apo mbretëresha e shumtë e radhës, e pas kurorëzimit: cin – cin (përplasje gotash dhe interesash, pa interes).

Ja pse promovimet në Shqipëri janë bërë të tilla – pa interes; tashmë janë thjesht rrangallat e riciklimit të Hipokrizisë.

Thjesht riciklim. Asgjë e re, asgjë e bukur, asgjë tërheqëse për ta lexuar.

Për fatin tonë ka mbetur tek – tuk ndonjë autor i djeshëm, i ndjeshëm, pa gabime, pa përsëritje, por libra me përsiatje, pasqyrim dhe pasuri letrare: Arben Iliazi, Visar Zhiti, Mira Meksi, Fatos Kongoli, Elvira Dones, Luan Rama, Flutura Açka, Anilda Ibrahimi, Ornela Vorpsi. (Ka plot të tjerë, por personalisht këto kam lexuar).

©️ Angela Kosta – 14 Qershor, 2026 (Itali)

(Foto Hejza)

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB