Nga Prof.Begzad Baliu
Në vend të hyrjes: Besa si njësi semantike dhe etimologjike
Në Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe, besa paraqitet si një njësi shumëkuptimëshe, bërthama semantike e së cilës është fjala e dhënë dhe detyrimi moral për ta mbajtur atë. Ajo emërton fjalën e nderit dhe besnikërinë ndaj zotimit, besimin në ndershmërinë e dikujt, marrëveshjen për pezullimin e përkohshëm të armiqësisë ose të gjakmarrjes, mbrojtjen që i sigurohet mikut a personit të marrë nën përgjegjësi, besëlidhjen për veprim të përbashkët dhe, në përdorimet më të vjetra, edhe besimin fetar. Kjo pasuri kuptimore konkretizohet në togje dhe njësi frazeologjike si besa shqiptare, besa e burrit, fjala e besës, i jap besën, i zë besë, ia lë në besë, lidh besë, prish besën, e vrau në besë, e mori në besë, njeri i besës dhe për besë. Të gjitha këto përdorime organizohen rreth besueshmërisë së fjalës së shqiptuar dhe marrëdhënies së institucionalizuar ndërmjet atij që jep premtimin, atij që e pranon dhe bashkësisë që e njeh e garanton.
Nga pikëpamja historike, besa është fjalë e mbarë shqipes dhe dokumentohet herët në traditën e shkrimit, te Matrënga, Budi, Bardhi, Bogdani, Kazazi, Variboba dhe Meksi. Eqrem Çabej e trajton atë së bashku me familjen e gjerë leksikore e fjalëformuese besoj, besim, besimtar, bestar, besnik, besatohem, besatar, i pabesë dhe pabesi. Ai e dokumenton që te Buzuku si besë, me barasvlerën latine foedus “besëlidhje, traktat”, dhe si besonj “besoj”. Në paraqitjen e historisë së etimologjisë së kësaj fjale, Çabej veçon dy drejtime kryesore interpretimi: afrimin e Gustav Meyer-it me bind, bindem dhe me rrënjën indoeuropiane *bhendh- “lidh”, të pranuar me ndryshime edhe nga Pederseni, si dhe shpjegimin e M. E. Schmidt-it, të mbështetur në thelb nga Jokli dhe Pokorny, sipas të cilit besë është një zgjerim ose formim i brendshëm nga be (Çabej, 1976, f. 61–62).
Qëndrimi i Çabejt është më i nuancuar se pranimi i drejtpërdrejtë i njërës prej këtyre hipotezave.
Ai vlerëson se afrimi semantik ndërmjet besë dhe bind, bindem “mbetet i drejtë”, por e shkëput këtë familje nga gjermanishtja binden “lidh” dhe e afron më natyrshëm me shqipen be, me greqishten peíthō “bind”, peíthomai “bindem” e pístis “besë”, si dhe me latinishten fido, fides “besim, besë” dhe foedus “besëlidhje, traktat”. Në këtë mënyrë, zhvillimi kuptimor shkon nga bindja dhe besimi te zotimi, garancia dhe institucioni juridik i besëlidhjes. Çabej thekson gjithashtu se fjala shqipe është përhapur në disa gjuhë ballkanike, duke dokumentuar trajta dhe rrjedhoja të saj në greqishten e re, arumanishten dhe turqishten. Kjo dëshmi tregon se, bashkë me njësinë leksikore, në hapësirën ballkanike është përhapur edhe një pjesë e përmbajtjes së saj etike dhe institucionale (Çabej, 1976, f. 62).
Bardhyl Demiraj e lidh besën me rrënjën indoeuropiane *bʰeidʰ-, me kuptimet “bindje, besim, zotim”, dhe e afron me foljen besoj. Në një interpretim më të posaçëm, ai e shpjegon si leksikalizim të një trajte gjinore të be-së, të ruajtur në ndërtime të hershme juridike të tipit i zoti i besë ose pleqtë e besë (Demiraj, 1997, f. 96–97). Vladimir Orel e trajton gjithashtu si fjalë të trashëguar, të dalë nga një bazë proto-shqiptare e lidhur me të njëjtën rrënjë indoeuropiane, duke e vendosur në familjen e besoj dhe duke e shpjeguar zhvillimin semantik nga “besimi dhe bindja” te “zotimi i garantuar me fjalë” (Orel, 1998, f. 22). Kolec Topalli e klasifikon besën si “fjalë të mbarë gjuhës dhe të trashëguar”, e vendos në të njëjtën çerdhe me besim, besnik dhe bestar dhe vëren përdorimin e këtyre formave edhe si antroponime, çka dëshmon kalimin e vlerës morale të konceptit në sistemin emërtues shqiptar (Topalli, 2017, f. 187, 197).
Dimensionin ballkanik të fjalës e plotëson Etimološki rečnik srpskog jezika, vëllimi III, i hartuar nën drejtimin e Aleksandar Loma-s.
Në këtë fjalor, serbishtja besa regjistrohet me kuptimet “fjala e dhënë që konsiderohet e shenjtë”, “fjala e nderit, feja, betimi”, “marrëveshje paqeje ose armëpushimi ndërmjet palëve, vëllazërive ose fiseve” dhe “mbrojtje, strehim”. Dokumentohen ndërtimet graditi, činiti, glaviti, uhvatiti besu, shprehja vezati besu, rrjedhojat besnik, nebesnik, beslija, besadžija dhe formula përforcuese besa-bes. Prejardhja e tyre përcaktohet shprehimisht nga shqipja besë, ndërsa format kosovare besa-bes dhe qebesa shpjegohen përkatësisht nga shqipja besa-besë dhe nga formula ke besë, me kuptimin “ke fjalën time” (Loma et al., 2008, f. 174–175).
Përkufizimi i leksikografisë së sotme, dokumentimi historik dhe interpretimet e Çabejt, Demirajt, Orelit, Topallit e Loma-s plotësojnë kështu njëri-tjetrin. Besa del si fjalë e vjetër, e mbarë shqipes dhe produktive brenda sistemit të saj, e lidhur me fushën semantike të bindjes, besimit, zotimit, besnikërisë, mbrojtjes dhe marrëveshjes. Përhapja e saj në gjuhët e tjera ballkanike dëshmon jo vetëm huazimin e një forme leksikore shqiptare, por edhe qarkullimin e përmbajtjes së saj morale, juridike dhe institucionale. /GDielli










