BallinaEKSKLUZIVEShqipëria importoi 2.1 milionë tonë drithëra, 1.5 mln nga Serbia dhe Rusia

Shqipëria importoi 2.1 milionë tonë drithëra, 1.5 mln nga Serbia dhe Rusia

-

Shqipëria po thellon varësinë nga importi i drithërave, ndërsa mekanizmat shtetërorë të kontrollit të sigurisë ushqimore rezultojnë me mangësi serioze. Auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit evidenton laboratorë pa reagentë, pajisje jashtë funksionit, mungesë analizash për substancat e rrezikshme dhe magazina të papërdorshme në pikat kufitare. Në këto kushte, siguria e grurit që përfundon në industrinë e miellit dhe në tryezat e shqiptarëve ngre pikëpyetje.

Shqipëria po bëhet gjithnjë e më e varur nga gruri dhe drithërat e importuara, ndërsa prodhimi vendas vijon të përballet me kosto të larta dhe me sipërfaqe të konsiderueshme tokash bujqësore të lëna djerrë. Shifrat e bëra publike nga Kontrolli i Lartë i Shtetit tregojnë se gjatë periudhës 2020-2025 në vend kanë hyrë rreth 2.1 milionë tonë drithëra, ku 1.5 milionë tonë kanë origjinë nga Serbia dhe Rusia. Por, ndërsa importet mbulojnë një pjesë të konsiderueshme të nevojave të tregut shqiptar, pikëpyetjet më të mëdha lidhen me mënyrën se si kontrollohet cilësia dhe siguria e këtyre produkteve përpara se të përfundojnë në konsum. Sipas legjislacionit në fuqi, çdo ngarkesë me drithëra që hyn në territorin shqiptar duhet t’i nënshtrohet kontrolleve përkatëse nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, përmes strukturave të tij dhe 10 Pikave të Inspektimit Kufitar. Megjithatë, auditimi i KLSH-së evidenton se kapacitetet laboratorike të AKU-së nuk janë në gjendje të analizojnë të gjithë treguesit e nevojshëm për të garantuar sigurinë ushqimore.

Laboratorët fokusohen kryesisht te parametrat bazë fiziko-kimikë, si lagështira dhe aciditeti, ndërsa mbeten jashtë një pjese të rëndësishme të kontrolleve analizat për kontaminantët kimikë, mbetjet e pesticideve, mykotoksinat dhe metalet e rënda.

Pra, analizat e kryera nuk japin një panoramë të plotë mbi sigurinë e grurit dhe miellit që përdoret nga industria ushqimore. Kontrolli i lagështirës dhe aciditetit, i vetëm, nuk mjafton për të përjashtuar praninë e substancave që mund të përbëjnë rrezik për shëndetin e konsumatorëve.

Laboratorët pa reagentë, analizat mbeten peng i mungesave

Situata bëhet edhe më problematike kur bëhet fjalë për analizat që laboratorët e AKU-së kanë mundësi të kryejnë. Sipas gjetjeve të KLSH-së, mungesa e reagentëve, mosfunksionimi i pajisjeve dhe mungesa e infrastrukturës laboratorike kanë sjellë ndërprerje të herëpashershme të procesit të analizimit. Në disa raste, pamundësia për të siguruar materialet e nevojshme ka penguar edhe kryerjen e analizave mikrobiologjike. Kjo do të thotë se, përveç kufizimeve në gamën e analizave, institucionet përgjegjëse për kontrollin ushqimor përballen edhe me vështirësi për të realizuar në mënyrë të vazhdueshme ekzaminimet që kanë në kompetencë.

Kontrolli në kufi, inspektorët detyrohen të ngjiten mbi kamionë

Mangësitë nuk përfundojnë në laboratorë. Problematika të shumta janë konstatuar edhe në Pikat e Inspektimit Kufitar, të cilat nuk disponojnë infrastrukturën e nevojshme për të realizuar kontrolle fizike efektive të ngarkesave me drithëra. Një nga rastet e evidentuara nga auditimi lidhet me PIK-un e Hanit të Hotit, ku pranë godinës ndodhen tri magazina, por këto ambiente rezultojnë jashtë funksionit. Sipas KLSH-së, gjatë periudhës 2020-2025 magazinat në pikat përkatëse të inspektimit, në të gjitha Drejtoritë Rajonale të AKU-së, nuk kanë qenë të disponueshme për ruajtjen e produkteve. Për pasojë, inspektorët janë të detyruar të kryejnë kontrollet fizike në kushte të papërshtatshme, shpesh në terren të hapur. Ata duhet të ngjiten mbi kamionët që transportojnë drithërat dhe të realizojnë kontrollin vizual të mallit nga një pozicion i kufizuar, pa pasur mundësi të tjera infrastrukturore për të garantuar një ekzaminim të plotë. Kjo mënyrë kontrolli kufizon mundësinë e inspektorëve për të vlerësuar me saktësi gjendjen e ngarkesave që hyjnë në vend.

Produktet problematike, pa ambiente të veçanta izolimi

Një tjetër konstatim shqetësues i auditimit lidhet me mënyrën e administrimit të produkteve që paraqesin problematika ose që janë në pritje të rezultateve laboratorike.

Në mungesë të magazinave dhe ambienteve të posaçme, në disa raste këto produkte janë mbajtur në të njëjtat ambiente me ngarkesat e tjera, pa ndarje fizike dhe pa masa të veçanta sigurie.

KLSH paralajmëron se kjo praktikë rrit ndjeshëm rrezikun e kontaminimit të kryqëzuar dhe cenon sigurinë ushqimore. Në vend që produktet për të cilat ka dyshime të izolohen deri në përfundimin e kontrolleve dhe analizave, mungesa e ambienteve të përshtatshme krijon kushte që ato të ekspozohen së bashku me produkte të tjera.

Varësia nga importi dhe siguria e bukës në tryezën e shqiptarëve

Në një kohë kur Shqipëria importon miliona tonë drithëra dhe prodhimi vendas nuk arrin të mbulojë nevojat e tregut, përgjegjësia e institucioneve të kontrollit ushqimor bëhet edhe më e madhe. Gruri që hyn nga Serbia, Rusia dhe vende të tjera përfundon në zinxhirin e prodhimit të miellit, bukës dhe produkteve të tjera ushqimore. Për këtë arsye, kontrolli i cilësisë dhe sigurisë së tij nuk është thjesht një procedurë administrative, por një çështje që lidhet drejtpërdrejt me shëndetin publik. Auditimi i KLSH-së nxjerr në pah një hendek mes detyrimeve ligjore të AKU-së dhe kapaciteteve reale për t’i përmbushur ato. Nga njëra anë, institucioni duhet të kontrollojë çdo ngarkesë dhe të garantojë që në treg të mos dalin produkte të pasigurta. Nga ana tjetër, mungesa e analizave të specializuara, reagentëve, pajisjeve funksionale dhe ambienteve të magazinimit e vështirëson ndjeshëm këtë proces.

Në fund, qytetarët mbeten përballë një pyetjeje thelbësore: sa të garantuar janë për sigurinë e drithërave dhe miellit që konsumojnë çdo ditë?

Sepse në një vend ku varësia nga importi rritet, ndërsa mekanizmat e kontrollit përballen me mungesa infrastrukturore dhe laboratorike, siguria ushqimore nuk mund të mbetet vetëm një detyrim i shkruar në ligj. Ajo duhet të provohet me analiza, kontrolle efektive dhe institucione që kanë kapacitetet e nevojshme për të mbrojtur konsumatorin, transmeton Tchannel.

Foto ilustrim

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Tre peshëngritës do ta përfaqësojnë Kosovën në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes

0
Përfaqësuesit e Kosovës synojnë të arrijnë rezultate sa më të mira në këtë ngjarje të madhe sportive, e cila ka nisur më 27 tetor. Në...

PESË PYETJE