POSTIMET E FUNDIT

Flora dhe Pren Balaj: misionarë të traditës shqiptare në diasporën shqiptare në Zvicër

Nga Dashnim HEBIBI, Zürich

Fotoreportazh: Çifti Balaj – një mision që e kthen traditën në identitet të gjallë

Edhe pse kanë kaluar disa ditë nga një manifestim i veçantë për nga ideja, përmbajtja dhe kuptimi i tij, shumëçka mbetet ende e pathënë. Jo gjithçka u publikua në rrjetet sociale dhe jo gjithçka u regjistrua nga kamerat e shumta në sallë. Sepse disa përjetime nuk kapen dot – ato ndihen dhe mbeten gjatë në kujtesë. Kjo mbrëmje në Bern ishte pikërisht e tillë.

Zakonisht shkrimet kërkohet të jenë të ftohta, pa emocione. Por këtë herë, pas disa ditësh reflektimi, ajo që mbetet nuk është thjesht emocion – është një realitet i qartë: puna, sakrifica dhe përkushtimi i njerëzve që nuk ndalen për të ruajtur identitetin tonë kombëtar.

Në qendër të këtij realiteti qëndron çifti Balaj – Flora Balaj dhe Pren Balaj.

Prej vitesh ata nuk janë dorëzuar dhe nuk do të dorëzohen, duke punuar me përkushtim të jashtëzakonshëm për ruajtjen dhe promovimin e traditave shqiptare. Në një kohë kur jeta e mërgimtarit është e vështirë, ata dhe shumë të tjerë vazhdojnë të kontribuojnë për kombin, shpesh nga buxheti i tyre familjar. Dhe kjo është për t’u vlerësuar. Shpesh marrin vëmendje ata që bëjnë zhurmë, ndërsa ata që punojnë në heshtje mbeten në hije.

Por e vërteta është ndryshe: duhet të nderohen ata që punojnë vazhdimisht dhe që lënë gjurmë përmes veprave. Në një kohë kur globalizimi po i zbeh gjithnjë e më shumë kufijtë e identitetit kulturor dhe po sfidon ruajtjen e traditave autentike, ekzistojnë individë që nuk dorëzohen përballë kësaj vale, por përkundrazi e shndërrojnë trashëgiminë në mision jetësor.

Një ndër këto figura është znj. Flora Balaj – dizajnere e përkushtuar dhe promovuese e palodhur e kostumografisë tradicionale shqiptare, e cila prej vitesh jeton dhe vepron në Zvicër, por mbetet thellësisht e lidhur shpirtërisht me rrënjët e saj kombëtare. Përmes një pune të gjatë, të vështirë dhe shpesh të mbështetur vetëm në përkushtimin familjar, ajo ka arritur të ringjallë dhe të promovojë një nga pasuritë më të çmuara të identitetit shqiptar: veshjen tradicionale.

Pa zhurmë dhe pa kërkuar vëmendje, por me një përkushtim të sinqertë dhe të palëkundur, znj. Flora Balaj dhe bashkëshorti i saj Pren Balaj kanë ndërtuar një mision që tejkalon kufijtë e profesionit – një mision që synon të ruajë dhe të përcjellë këtë trashëgimi tek brezat e rinj në diasporë dhe më gjerë.

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Bern, Ermal Dredha

Dhe pikërisht këtë e dëshmoi mbrëmja e 25 prillit e organizuar nga çifti Balaj.

Në Kongresszentrum Allresto në Bernë u zhvillua një program i pasur kulturor, që i ngjante një “dasme” të mirëfilltë shqiptare. Edhe pse salla nuk ishte e mbushur sa e meritonte ngjarja, ajo që u ofrua në skenë ishte e një niveli të lartë artistik dhe organizativ. Një ndër shtyllat kryesore të këtij manifestimi ishte regjisori dhe aktori i merituar i kombit Llesh Nikolla, i cili kishte ardhur nga Shqipëria për të dhënë kontributin e tij. Me profesionalizmin dhe ndjeshmërinë artistike, ai i dha dokumentarit dhe gjithë mbrëmjes një dimension të veçantë.

Dokumentari “Kostume Popullore – Identitet Kombëtar”, i realizuar në bashkëpunim me Flora Balaj (etnografe), Pren Balaj (producent), Gëzim Arifi (kameraman) dhe Shkëlzen Rexha (fotograf), ishte një rrëfim i gjallë për identitetin tonë përmes veshjeve tradicionale. Krahas dokumentarit, Flora Balaj prezantoi edhe dy krijime të reja: “Paja e nuses” dhe “Kostumi Popullor Shqiptar”, duke dëshmuar se tradita nuk është e ngrirë, por evoluon dhe përshtatet me kohën. Programi artistik u pasurua nga kontributi i Shefqet Cakolli dhe SHKA “Dardania” në Winterthur, të cilët sollën një performancë të nivelit të lartë, ku spikati veçanërisht “Osman Taka”. 

Kontribut akademik dha Prof.Dr. Zymer Neziri, ndërsa Sibela Alimovska solli një perspektivë të rëndësishme mbi sfidat e ruajtjes së identitetit në diasporë. Fjalë rasti mbajti edhe Nazmi Jakurti, nga Lidhja Shqiptare në Botë, i cili theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje dhe ruajtjen e vlerave tona kombëtare përmes veshjeve tradicionale. Atmosfera u gjallërua edhe nga mjeshtri i çiftelisë Fatmir Makolli, ndërsa në skenë shkëlqyen edhe të rinjtë: Aurelia Balaj, Kleofina Balaj, si dhe motrat Lejla Grabovci dhe Sara Grabovci, të cilët dëshmuan se tradita ka vazhdimësi.

Moderimin e mbrëmjes e realizoi Alketa Gashi-Fazliu.

Në këtë event mori pjesë edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Bern, Ermal Dredha, i cili vlerësoi rëndësinë e kësaj nisme për ruajtjen dhe promovimin e identitetit shqiptar në diasporë.

Fjala e publicistit PhD. Dashnim Hebibi, u mirëprit me duartrokitje dhe u shndërrua në një mesazh të fortë për të gjithë të pranishmit:

Fjala e plotë e PhD. Dashnim Hebibi

“Të nderuar zonja Flora Balaj dhe z. Pren Balaj,
i nderuar Ambasador i Shqipërisë në Bernë, Shkëlqesia e Tij, z.Ermal Dredha,

i nderuari aktor Llesh Nikolla,
i respektuari profesor Zymer Neziri,
i çmuari z. Shefqet Cakolli, president i SHKA ‘Dardania’ me qendër në Winterthur,
i respektuari z. Zenel Neziri, kryetar i Shoqatës Humanitare Medvegja në Zvicër,
të nderuar përfaqësues të mediave,
të dashur mysafirë dhe bashkatdhetarë,

Është një nder i veçantë të qëndroj sot para jush, në një mbrëmje që nuk është thjesht kulturore, por thellësisht shpirtërore dhe identitare. Sot nuk jemi mbledhur vetëm për të parë një dokumentar apo për të ndjekur një program artistik. Jemi mbledhur për të kujtuar kush jemi dhe për të forcuar lidhjen tonë me rrënjët që na mbajnë gjallë si komb, kudo që jetojmë.

Prof.Dr. Zymer Neziri

Kostumet tona popullore nuk janë vetëm veshje. Ato janë histori të gjalla, janë identitet, janë një gjuhë e heshtur që flet për prejardhjen, krenarinë dhe shpirtin e një populli që ka ditur të mbijetojë dhe të ruajë vlerat e veta ndër shekuj. Në një kohë globalizimi, ku identitetet shpesh zbehen, iniciativa të tilla marrin një rëndësi edhe më të madhe. Dokumentari “Kostume Popullore – Identitet Kombëtar” është më shumë se një vepër artistike — është një mision për të ruajtur dhe përcjellë trashëgiminë tonë te brezat që vijnë, veçanërisht këtu në mërgatë. Një vlerësim i veçantë i takon zonjës Flora Balaj. Ky projekt është fryt i një pune të gjatë, i një përkushtimi të jashtëzakonshëm dhe i një angazhimi të madh familjar — përfshirë edhe atë financiar nga familja Balaj. Prej vitesh e kam përcjellë këtë rrugëtim dhe me bindje të plotë them se, me gjithë sfidat, ata nuk janë dorëzuar kurrë. Po ashtu, nuk mund të mos përmendim kontributin e çmuar të z. Shefqet Cakolli dhe SHKA ‘Dardania’, që për dekada kanë qenë ambasadorë të kulturës sonë në Evropë.

Kjo është një thirrje për të gjithë ne: të mbështesim këto iniciativa. Sepse ato janë investim për fëmijët tanë, për brezat që rriten në mërgatë. Mos e lini këtë mbrëmje të mbetet vetëm një kujtim. Merreni me vete krenarinë. Flisni me fëmijët tuaj për këto vlera. Bëhuni pjesë aktive e ruajtjes së identitetit tonë. Sepse edhe larg atdheut, ne e mbajmë atdheun brenda vetes. Në çdo zemër që rreh shqip, aty jeton kombi ynë.”

Kjo mbrëmje nuk ishte thjesht një aktivitet kulturor. Ishte një dëshmi se diaspora shqiptare nuk është vetëm ruajtëse e traditës, por edhe krijuese aktive e saj. Ishte një mesazh i qartë se identiteti nuk humbet – ai rikrijohet dhe forcohet përmes punës dhe përkushtimit. Dhe mbi të gjitha, ishte një dëshmi se njerëz si Flora Balaj dhe Pren Balaj janë ata që e mbajnë gjallë këtë identitet. Prandaj, le të dimë t’i vlerësojmë ata që kanë vlera. Le të mbështesim ata që punojnë në heshtje. 

Kryetari i SHH “Medvegja” në Zvicër, z.Zenel Neziri, kryetari i SH.K.A “Dardania”, z.Shefqet Cakolli, D.Hebibi dhe Bekim Imeri

Dhe le të mos lejojmë që zhurma të mbulojë punën e vërtetë. Sepse mërgata shqiptare ka nevojë për mbrëmje të tilla – jo vetëm si spektakël, por si frymëzim për brezat që do të vijnë. Kjo mbrëmje në Bern nuk duhet parë si një ngjarje që filloi dhe përfundoi brenda një salle, por si një pikë referimi për atë që diaspora shqiptare mund dhe duhet të jetë. Në një kohë kur shpërndarja gjeografike shpesh rrezikon të zbehë lidhjet me rrënjët, iniciativa të tilla dëshmojnë të kundërtën: se identiteti nuk është i varur nga vendndodhja, por nga vullneti për ta ruajtur dhe kultivuar atë.

Çifti Balaj, përmes punës së tyre të palodhur, kanë dëshmuar se tradita nuk është thjesht trashëgimi për t’u ruajtur në muze, por një organizëm i gjallë që kërkon përkushtim, sakrificë dhe vizion. Ata nuk kanë ndërtuar vetëm një aktivitet kulturor, por një urë lidhëse mes brezave – një hapësirë ku e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja takohen dhe bashkëjetojnë. Ky është një model që meriton jo vetëm duartrokitje, por edhe mbështetje konkrete. Sepse ruajtja e identitetit kombëtar nuk është përgjegjësi e disa individëve të përkushtuar, por një detyrë kolektive. Çdo prind që i mëson fëmijës së tij gjuhën shqipe, çdo artist që sjell në skenë elementë të traditës, çdo i ri që zgjedh të njohë rrënjët e tij – janë pjesë e të njëjtit mision.

Mesazhi që vjen nga kjo mbrëmje është i qartë: nuk mjafton të jemi krenarë për origjinën tonë, duhet të veprojmë për ta ruajtur atë. Dhe veprimi fillon me vlerësimin e atyre që tashmë po japin shembullin.

Në një botë që ndryshon me ritme të shpejta, identiteti është një nga pasuritë më të qëndrueshme që kemi. Por ai nuk është i garantuar – ai kërkon përkujdesje të vazhdueshme. Pikërisht për këtë arsye, ngjarje si kjo nuk duhet të mbeten të izoluara, por të shndërrohen në traditë të vetëdijshme dhe të mbështetur nga komuniteti.

Në fund, kjo mbrëmje na kujtoi një të vërtetë të thjeshtë, por thelbësore: kombi nuk jeton vetëm në kufijtë e një territori, por në zemrat e njerëzve që e mbajnë gjallë atë çdo ditë. Dhe përderisa ka njerëz si Flora dhe Pren Balaj, kjo zemër do të vazhdojë të rrahë fort – kudo në botë.

Foto Shefqet Cakolli

P.S; Mundeni ta lexoni edhe intervistën e plotë me znj.Flora Balaj

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB