Filantropi i mirënjohur, atdhetari dhe bamirësi shqiptar që jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Sahit Muja, siç transmeton helveticALForum.ch ka shprehur mbështetjen e tij të fuqishme për protestën e qytetarëve shqiptarë, duke ngritur shqetësime të forta për fatin e pasurive kombëtare dhe mënyrën se si po menaxhohen asetet strategjike të vendit.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Muja deklaron:
“Të dashur motra dhe vëllezër shqiptarë,
Sot e mbështes me gjithë forcën e zemrës, shpirtit dhe ndërgjegjes protestën tuaj të drejtë. Zëri juaj është zëri i një kombi që është lodhur duke parë Shqipërinë të copëtohet, të shitet dhe të poshtërohet nga një klasë politike që e trajton atdheun si plaçkë tregu.
Si mund të falet nje arabi Porti i Durrësit, një nga asetet më të mëdha strategjike e historike të kombit me vlere miljarda dollare, pa transparencë, pa pyetur shqiptarët, pa garë të ndershme? Si mund të falen brigjet tona, deti ynë, malet tona dhe pasuritë tona shekullore sikur të mos i përkisnin këtij populli? Shqipëria nuk është pronë private e askujt. Ajo është amaneti i të parëve tanë dhe e drejta e fëmijëve tanë.
Na thanë zhvillim, por sollën pazare.
Na thanë investime, por shitën dinjitetin kombëtar.
Na thanë progres, por pas çdo marrëveshjeje të errët fshihet varfërimi i shqiptarëve dhe pasurimi i një grushti njerëzish që nuk njohin as Zot, as atdhe.
Kur shqiptari dhunohet në tokën e tij, kur pronari përjashtohet nga toka e vet, kur shteti hesht para padrejtësisë, atëherë nuk është më vetëm krizë politike, është plagë kombëtare. Dhe kjo plagë sot ndihet në zemrën e çdo shqiptari të ndershëm.
Por unë besoj tek ky popull.
Besoj tek shqiptari që nuk e shet nderin.
Besoj tek rinia që nuk pranon të jetojë në gjunjë.
Besoj tek ata burra e gra që ngrihen pa frikë për të mbrojtur Shqipërinë.
Ne nuk jemi kundër investitorëve të ndershëm dhe miqve të vërtetë të kombit tonë. Shqiptari ka qenë gjithmonë mikpritës, fisnik dhe zemërhapur. Por jemi kundër korrupsionit, kundër marrëveshjeve të fshehta dhe kundër çdo pushteti që shet tokën shqiptare pa pyetur shqiptarët.
Mjaft më.
Mjaft me shitjen e porteve.
Mjaft me faljen e bregdetit.
Mjaft me grabitjen e maleve dhe pasurive tona.
Mjaft me poshtërimin e kombit shqiptar.
O sot, o kurrë, të ngrihemi me dinjitet, me mençuri dhe me forcën e shpirtit shqiptar për të mbrojtur atë që Zoti dhe historia na kanë lënë amanet:
Shqipërinë.”
Deklarata e Sahit Mujës vjen në një kohë kur debati publik mbi pasuritë kombëtare, investimet strategjike dhe transparencën institucionale vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes së opinionit publik. Përmes këtij mesazhi, filantropi dhe veprimtari shqiptar në SHBA u bën thirrje qytetarëve të mbrojnë me dinjitet interesin kombëtar dhe të kërkojnë llogaridhënie për çdo vendimmarrje që prek pasuritë dhe të ardhmen e vendit, transmeton helveticALForum.ch.




