Komuna e Baarit, në kantonin e Zugut, ka vendosur t’u dhurojë banorëve nga 100 franga për person. Kuponët do të dërgohen në fillim të dhjetorit dhe mund të shpenzohen në bizneset lokale pjesëmarrëse.
Një lajm i mirë i pret banorët e komunës së Baarit, në kantonin e Zugut, para festave të fundvitit. Secili banor që plotëson kushtet do të përfitojë një kupon në vlerë prej 100 frangash zvicerane, në kuadër të një mase financiare të ndërmarrë nga komuna. Nga kjo dhuratë do të përfitojnë të gjithë personat që kanë qenë të regjistruar si banorë të Baarit më 10 qershor 2026, në orën 17:00. Sipas të dhënave të komunës, gjithsej 25.540 persona do të marrin kuponë personalë, të pajisur me kod QR. Kuponët do të dërgohen me postë përmes shërbimit A-Post Plus, në fillim të muajit dhjetor. Ata nuk mund të kthehen në para të gatshme, por do të përdoren për blerje dhe shërbime te bizneset lokale që marrin pjesë në këtë iniciativë. Përfituesit do të kenë dy vjet kohë për t’i shfrytëzuar kuponët. Pas përfundimit të këtij afati, çdo shumë e papërdorur do të skadojë dhe nuk do të mund të kërkohet më.
Një investim prej 2,55 milionë frangash
Për realizimin e kësaj nisme, komuna ka ndarë rreth 2,55 milionë franga. Shuma financohet nga teprica prej 55,5 milionë frangash që komuna regjistroi në buxhetin e vitit 2025. Ideja për shpërndarjen e kësaj ndihme financiare u diskutua mes partive politike lokale. Fillimisht, partia Die Mitte kishte propozuar që secili banor të përfitonte nga 15 franga, ndërsa Partia Socialdemokrate (SP) kërkoi një shumë dukshëm më të lartë, prej 100 frangash për person. Në fund, propozimi për dhënien e 100 frangave u miratua në muajin qershor, me 138 vota pro dhe 127 kundër.
Mbeten edhe 52,5 milionë franga pa destinim
Pavarësisht vendimit për shpërndarjen e kuponëve, pjesa më e madhe e tepricës buxhetore ende nuk ka një destinim të përcaktuar. Pas ndarjes së 2,55 milionë frangave për këtë iniciativë, mbeten rreth 52,5 milionë franga, për të cilat komuna ende nuk ka vendosur se si do të përdoren. Nisma synon jo vetëm t’u japë banorëve një përfitim të drejtpërdrejtë financiar, por edhe të mbështesë ekonominë lokale, duke orientuar shpenzimet drejt bizneseve të Baarit. Kështu, para festave të fundvitit, mijëra familje në Baar do të kenë mundësinë të përfitojnë nga kjo dhuratë prej komunës, ndërsa bizneset lokale pritet të përfitojnë nga rritja e konsumit./BS










