Sot, më 14 qershor, gjatë Meshës së shenjtë në Emmenbrücke, 15 fëmijë, të shoqëruar nga prindërit e tyre, kremtuan me gëzim Kungimin e Parë, të cilin e kishin marrë gjatë javëve të fundit në famullitë ku jetojnë.
Kjo ishte një ditë e veçantë, e mbushur me emocion, lutje dhe falënderim, ku fëmijët u bënë pjesë aktive e kremtimit liturgjik përmes leximeve dhe shërbimit në altar. Përfshirja e tyre, së bashku me praninë dhe angazhimin e prindërve, i dha kësaj feste një bukuri të veçantë dhe një ndjenjë të thellë bashkësie.

Në predikimin e rastit, Don Antoni ndaloi te rëndësia e madhe që ka Kungimi në jetën shpirtërore të fëmijëve, duke theksuar se Eukaristia është ushqim i domosdoshëm për rritjen në fe dhe për forcimin e lidhjes me Krishtin. Ai vuri në pah edhe rolin e pazëvendësueshëm të prindërve në edukimin e fëmijëve, sidomos në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të krishtera brenda familjes.

Në fund të kremtimit, edhe në emër të Motrave të Nderit, u përcollën urimet më të përzemërta për fëmijët dhe prindërit e tyre, me dëshirën që hapat e parë në këtë rrugëtim të bukur të fesë të jenë fillimi i një jete të mbushur me bekime, paqe dhe afërsi me Zotin, transmeton Misioni Katolik Shqiptar në Luzern të Zvicrës, përcjell helveticALForum.ch.
Foto: Kastriot Frroka




