Kryesia e SHKASH “Xheladin Zeqiri” zhvilloi një takim të ngrohtë dhe miqësor me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Kroaci, në kuadër të angazhimit për forcimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit kulturor ndërmjet shqiptarëve kudo që jetojnë. Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e ruajtjes, kultivimit dhe promovimit të vlerave kombëtare shqiptare, si dhe për mundësitë e realizimit të projekteve të përbashkëta kulturore në të ardhmen. Veçanërisht u theksua nevoja për bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet shoqatave dhe institucioneve shqiptare, me qëllim që tradita, gjuha, kultura dhe identiteti kombëtar të përcillen te brezat e rinj. Në takim morën pjesë Gentiana Lleshdedaj, kryetare e Shoqatës “Shkëndija”, Emirat Asipi, kryetar i Këshillit të Pakicës Kombëtare Shqiptare në Zagreb, si dhe Valon Zenuni dhe Nita Aliti. Takimi u zhvillua në frymën e miqësisë, respektit dhe bashkëpunimit, duke dëshmuar edhe një herë se bashkimi i forcave dhe i ideve është një vlerë e rëndësishme për avancimin e kulturës shqiptare. SHKASH “Xheladin Zeqiri” mbetet e hapur për bashkëpunime të reja me shoqata, institucione dhe personalitete që kontribuojnë në ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës, traditës dhe identitetit shqiptar. Mirënjohje për vizitën, miqësinë dhe gatishmërinë për bashkëpunim! /LM










