BallinaDiasporaAnsambli Shqiponja në Luzern hap dyert për brezin e ri

Ansambli Shqiponja në Luzern hap dyert për brezin e ri

Mbrëmjen e së enjtes, më 20 gusht 2026, Ansambli Shqiponja i Misionit tonë në Luzern shënoi një hap të rëndësishëm në veprimtarinë e tij kulturore, duke nisur punën me grupin e fëmijëve. Interesimi ishte i madh, ndërsa rreth 30 fëmijë, të shoqëruar edhe nga prindërit e tyre, morën pjesë në takimin e parë me dëshirën për të mësuar, përjetuar dhe përcjellë më tej kulturën dhe traditat e bukura shqiptare.

Ky organizim synon që brezit të ri, veçanërisht fëmijëve që rriten larg trojeve shqiptare, t’u krijojë mundësinë të afrohen me rrënjët e tyre përmes këngës, valleve popullore dhe kostumeve tradicionale shqiptare. Përtej mësimit të hapave të vallëzimit, pjesëmarrja në ansambël është një mundësi e çmuar për të kultivuar ndjenjën e përkatësisë, bashkëpunimit dhe dashurisë për trashëgiminë kulturore.

Fëmijëve dhe prindërve fillimisht iu bë një pritje e ngrohtë. Më pas, Don Antoni u uroi mirëseardhjen pjesëmarrësve dhe bëri një prezantim të shkurtër mbi atë se çfarë nënkupton të jesh pjesë e një ansambli. Ai vuri theksin te rëndësia e rregullave, përkushtimit dhe disiplinës, si elemente themelore për mbarëvajtjen e provave dhe zhvillimin e suksesshëm të një veprimtarie të tillë.

Në vijim, Denisa Merturi, në cilësinë e kryetares së Ansamblit Shqiponja për të rritur, shprehu kënaqësinë për interesimin e madh të fëmijëve dhe familjeve të tyre. Ajo prezantoi shkurtimisht historikun dhe veprimtarinë e ansamblit, duke nënvizuar rëndësinë e vazhdimësisë së traditës dhe përfshirjes së brezave të rinj në jetën kulturore të komunitetit shqiptar në Luzern.

Edhe koreografi Arsim Berisha u uroi mirëseardhjen fëmijëve dhe u dëshiroi suksese në këtë rrugëtim të ri. Me përvojën dhe përkushtimin e tij, ai do t’i udhëheqë të vegjlit në njohjen dhe përvetësimin e valleve të bukura popullore shqiptare, duke e kthyer çdo provë jo vetëm në një proces mësimi, por edhe në një përvojë të këndshme dhe frymëzuese.

Pas pjesës prezantuese, fëmijët nisën edhe provën e tyre të parë. Me entuziazëm dhe kureshtje, ata hodhën hapat e parë të vallëzimit, duke shënuar kështu fillimin e një rrugëtimi të ri artistik e kulturor. Atmosfera e krijuar dëshmoi se dëshira për të ruajtur dhe përcjellë traditat shqiptare te brezat e rinj vazhdon të jetë e fortë edhe larg atdheut.

Nisma e Ansamblit Shqiponja për krijimin dhe zhvillimin e grupit të fëmijëve është një investim i çmuar në të ardhmen e kulturës shqiptare në mërgatë. Përmes këngës, valles, kostumeve dhe aktiviteteve të përbashkëta, fëmijët jo vetëm do të mësojnë më shumë për trashëgiminë e tyre, por do të krijojnë edhe miqësi, kujtime dhe një lidhje më të fortë me identitetin shqiptar.

Fëmijëve dhe të rinjve që do të jenë pjesë e këtij rrugëtimi u urojmë shumë suksese, këmbëngulje dhe momente të bukura. Qoftë kjo një përvojë që do t’i shoqërojë gjatë, duke mbajtur gjallë dashurinë për kulturën, traditën dhe vlerat tona kombëtare.

Suksese Ansamblit Shqiponja dhe brezit të ri që po hedh hapat e parë në skenën e traditës shqiptare! /Misioni Katolik Shqiptar-Luzern

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

TETOVA ËSHTË DARDANI

0
Nëna e Skënderbeut është shqiptare e Pollogut-flasin dokumentet; e vitit 1439 dhe 1551... Për përkatësinë e kësaj treve që në të kaluarën i ka takuar...