Viti i ri shkollor në Kosovë do të nisë më 1 shtator, në të gjitha shkollat publike dhe private. Ministria e Arsimit thotë se përgatitjet po vazhdojnë për të siguruar infrastrukturën dhe materialet e nevojshme.
Ndërkohë, Ministria e Arsimit u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që tëmos nxitojnë me blerjen e teksteve mësimore dhe materialeve shkollore, meqë, sipas tyre, procesi I negocimit të çmimeve për tekstet mësimore me shtëpitë botuese ende nuk ka përfunduar dhe si rrjedhojë katalogu përfundimtar i teksteve mësimore, së bashku me çmimet përkatëse, ende nuk është publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë.
“Në të gjitha shkollat e Kosovës, qoftë ato private, qoftë publike, do të fillojë më 1 shtator. Ministria e Arsimit është duke i bërë të gjitha përgatitjet e duhura që ky mësim të fillojë në datën e saktë dhe të gjitha shkollat të jenë në gjendje infrastrukturore mirë, po ashtu edhe të pajisura me materiale adekuate. Nuk ka ndonjë datë tjetër, nuk është shtyrë data e 1 shtatorit. Kryesisht ka qenë një dezinformatë. Në Shqipëri fillon mësimi më 14 shtator dhe krejt kjo ka hutuar prindërit dhe opinionin, të cilët mendojnë se mësimi do të fillojë më 14 shtator. Bazuar në kalendarin shkollor, i cili tani më për këtë vit është punuar dhe është finalizuar si draft, viti shkollor fillon më 1 shtator”, tha Anita Kadriu nga Departamenti për Arsim Parauniversitar, transmeton rtk. ( Foto ilustrim )










