Përgatiti Dashnim HEBIBI
Legjenda shqiptare e karatesë, Enver Idrizi, po qëndron prej disa ditësh në Zvicër, ku ka realizuar një sërë takimesh me bashkatdhetarë dhe veprimtarë shqiptarë në kantone të ndryshme të vendit. Siç mëson helveticALForum.ch, vizita e tij ka zgjuar interesim dhe emocion të madh te komuniteti shqiptar, i cili e konsideron Idrizin një prej figurave më të rëndësishme sportive shqiptare ndër vite.
Gjatë qëndrimit të tij në Zvicër, Enver Idrizi është takuar me sportdashës, aktivistë të komunitetit dhe personalitete të njohura shqiptare, ndërsa pritet që edhe gjatë dy ditëve të ardhshme të zhvillojë takime të tjera me veprimtarë dhe përfaqësues të diasporës shqiptare.
Emri i Enver Idrizit vazhdon të mbetet simbol i suksesit, disiplinës dhe krenarisë kombëtare në të gjitha trevat shqiptare. Me një karrierë të jashtëzakonshme në karate, ai ka fituar respekt të madh jo vetëm në botën shqiptare, por edhe në arenën ndërkombëtare të sportit.

Për shumë të rinj shqiptarë, Idrizi mbetet model frymëzimi dhe shembull i përkushtimit në sport dhe jetë. Autoriteti dhe respekti që ai gëzon ndër bashkatdhetarët janë dëshmi e ndikimit të madh që ka pasur ndër vite në promovimin e sportit shqiptar, por edhe në çëshjen kombëtare si dhe në ate humanitare.

I njohur si një “qiell i karatesë shqiptare”, Enver Idrizi ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm edhe në edukimin dhe përgatitjen e brezave të rinj të sportistëve. Nga puna dhe përvoja e tij kanë dalë shumë emra të njohur të karatesë, të cilët sot vazhdojnë rrugën e suksesit në gara vendore dhe ndërkombëtare. Edhe pse prej vitesh pjesë e historisë së artë të sportit shqiptar, Idrizi vazhdon të jetë aktiv dhe i angazhuar në zhvillimin e karatesë dhe mbështetjen e talenteve të reja. Përkushtimi i tij ndaj sportit mbetet i pandalshëm, duke dëshmuar se figura të tilla nuk harrohen kurrë nga kombi dhe komuniteti shqiptar kudo në botë. Vizita e tij në Zvicër po konsiderohet si një moment i veçantë për diasporën shqiptare, e cila ka treguar gjithmonë respekt dhe admirim të madh për legjendën e karatesë shqiptare.




